Me më pak se 500 raste aktive, Kosova vazhdon me orë policore e maska obligative edhe për të vaksinuarit

Saktësisht para një jave (më 23 tetor) qeveria e Kosovës vendosi për lehtësimin e masave kufizuese anti-Covid, por pa ndonjë ndryshim të madh.

Qeveria e Kosovës miratoi masat e reja anti-Covid të cilat zgjatën orarin e lëvizjes. Tani, qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm nga ora 05:00 e mëngjesit e deri në 00:00 të mbrëmjes.

Gjithashtu edhe gastronomisë iu zgjat orari i punës deri në ora 23:00, por kjo u kundërshtua nga shumica e qytetarëve.

Këto masa po vazhdojnë të jenë në fuqi, pavarësisht që në Kosovë numri i rasteve të reja ditore me COVID-19 ka rënë dukshëm.

Sipas Insitutit Kombëtar të Shëndetit Publik, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar vetëm 25 raste pozitive me COVID-19 dhe janë shëruar 9 pacientë dhe nuk është shënuar asnjë viktimë.

Pozitiviteti i rasteve të testuara nga COVID-19 në 24 orët e fundit ka qenë 1.38%, pra 25 pozitive nga 1,801 persona të testuar.

Kështu, Kosova aktualisht ka vetëm 477 raste pozitive, por kjo s’po i bind autoritetet që t’i heqin krejtësisht masat anti-Covid.

Kosova vazhdon që me 477 raste të reja të ketë obligative bartjen e maskës për të gjithë personat (edhe për të vaksinuarit me dy doza), kufizimin e lëvizjes e orarin e shkurtuar dhe mënyrën e kufizuar të punës për gastronominë.

Go to TOP