Mbi 100 artefakte të masakrës së 26 marsit 1999 ekspozohen në Muze

Muzeu në Krushë të Madhe të Rahovecit do të kujtojë për të mos harruar kurrë krimin makabër që forcat serbe bënë mbi popullatën civile në mars të vitit 1999. Janë ekspozuar 100 eksponate të kujtesës së luftës, por janë në përpunim edhe 180 rrëfime të të mbijetuarve të luftës që pritet t`i shtohen ekspozitës së këtij muzeu.

Një djep, shumë rroba, fotografi, shkrime e rrëfime gojore të të mbijetuarve nga masakra e 26 marsit të vitit 1999, janë ekspozuar në Muzeun e Krushës së Madhe, raporton RTKlive. Ndonëse e di mirë historinë e 25 vjetëve më parë, Muharrem Hoti thotë se vjen në Muzeun e masakrës së Krushës çdo tri ditë, i dëgjon rrëfimet e tyre edhe pse i ka mësuar përmendësh, por shpeshherë, ndjenë nevojën që të kthehet çerekshekulli më përpara në kohën më të vështirë që kaloi fshati.

“Jo nuk është e gjitha, ka edhe shumë gjëra të pathëna dhe dëshimtarë shumë na kanë vdekur, se kjo u bë pas 20 viteve, ka ngelë mangur shumë, se ka rrëfime shumë më të rënda se këto, por na kanë vdekur dëshmitarët për fat të keq tonin”, tha Muharrem Hoti, banor i Krushës së Madhe.

Menjëherë sapo u hap muzeu i masakrës së Krushës së Madhe erdhën vizitorë nga jashtë Kosovës. Për një muaj, muzeun e vizituan mbi 600 vizitorë.

“Arbreashët e Italisë, kemi disa prej Shqipërisë, prej Bullgarisë, Gjermanisë profesor kemi pas, prej Francës , Belgjikës e vizitor me bicikleta që kanë ardh me pa muzeun, e gjatë dëgjimit të intervistave ka pas shumë prej tyre që kanë qajt”, tha Irfan Ramadani, përgjegjës i Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe.

Zyrtarët komunalë të Rahovecit e pranojnë se ka shumë punë për t’u bërë në këtë muze memorial.

“Promovimi do të vazhdojë edhe në faza të tjera, pasi do të bëhet edhe vendosja e artefakteve të tjera, dhe gjërave që lidhen me historinë e luftës, dhe përjetimeve që patën banorët e kësaj treve, por kryesisht të fshatit Krushë e Madhe”, tha Arbër Zenuni, kryesues i Kuvendit komunal të Rahovecit

“Nuk i kemi të gjitha intervistat, pasi do të jenë 200, por janë duke u punuar nga Biblioteka kombëtare, pasi po përkthehen në anglisht, gjuhën serbe, do të punohen me titra në shqip anglisht e serbisht e pastaj do të ekspozohen thotë përgjegjësi i muzeut Irfan Ramadani.

Në muze ndodhen tash për tash janë 100 artefakte. Banorët e Krushës duan që nëpërmjet këtij muzeu bota dhe brezat të dinë e të mos e harrojnë kurrë atë masakër që ndodhi mbi ta në pranverën e vitit 1999.

Go to TOP