Marsh në vigjilje festash

Klubi Off Road Prizreni, në kuadër të festave të qershorit, organizoi marsh drejt majës së lartë të Koritnikut.

Dhjetëra anëtarë, adhurues të këtij sporti, që synojnë promovimin e resurseve të turizmit malor, sfidojnë veten në ngjitje me makina të larta, në datat e rëndësishme të festave të Prizrenit.

Vozitësit jashtë rrugës me asfalt të pajisur me makina të larta marshuan drejt Majës së Koritnikut, në vigjilje të festave të qershorit në Prizren. Mbi 50 anëtarë sa ka klubi i nderojnë datat e rëndësishme të Prizrenit dhe Kosovës në këtë mënyrë.

“Ne gjithmonë prezantojmë vlera kulturore, pasuri, natyrën dhe e mbrojmë atë. Në këtë eveniment kemi vendos me ngrit flamurin kombëtarë në majën e Koritnikut. Me ngritjen e flamurit e heqim kufirin””, tha për RTK, Sadik Shala – Organizator i marshit të Koritnikut

Në marrshin për të pushtuar Majën e Koritnikut janë afruar edhe profesionistë që janë kampion të shumëfishtë në Kosovë, por edhe Evropë.

“Edhe këtu kemi makina të fuqishme, jo si në ato gara që marr pjesë por përndryshe shumë ka të bëjë sidomos me këta Bagit, e kanë stilin e njëjtë si në rrelli po du me sfidu veten edhe në atë drejtim”, tha Lirodon Kalenderi – Profesionist i garave malore

“Është evenimenti i katërt që e organizim Off Rod Prizreni, për të njëjtin qëllim, ka filluar që nga lapidari i UÇK së në Vrri, vazhdon nga Opoja, pranë liqenit të Breznes do të përfundojë në majë të Koritnikut, ku do të ngrihet flamuri kombëtarë mës Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Burim Piraj, adhurues i garave malore me gjipa

Për nder të përvjetorit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit dhe çerekshekullin e parë të çlirimit të Kosovës klubit Off-Road Prizreni iu bashkëngjitën edhe mërgimtarë. Shpejtim Jaha erdhi nga Franca.

“Jemi kogja shumë adhurues, kemi një rreth tonin kemi shumë të anës së Ferizait, këtu pak adrenalin dhe nuk mendojmë për askënd më”, tha Shpejtim Jaha nga Ferizaj.

“Unë shumë herë kam marrë pjesë këtu në Prizren për nder të këtyre festave, datave të rëndësishme që i kanë këta, dhe shpresoj të kalojmë mirë”, tha Shqiprim Qarri, Klubi “Vjosa” – Shtimje.

Marshet e tilla të organizuara nga Off Road Prizreni mbështeten nga adhuruesit e këtij sporti malorë dhe komuna e Prizrenit. Përmes këtyre udhëtimeve prezantohen resurset e shumta që ka vendi ynë në zhvillimin e turizmit malorë thonë organizatorët.

Go to TOP