Lidhja e Bizneseve kërkon nga shteti urgjentisht politika më të mira fiskale për bizneset

Është e domosdoshme që shteti të beje reforma në politika fiskale më të mira për të përmirësuar klimën biznesore në Kosovë, thotë përmes një komunikate për media Lidhja e Bizneseve.

“Dialogu, uniteti politik dhe bashkërendimi me aktorët relevante janë thelbësore për të arritur një politikë fiskale efektive. Parametrat ekonomikë duhet të adresohen për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik të vendit.

Reforma fiskale do të ndihmojë në përkrahjen e sektorit privat dhe në rritjen e aktivitetit biznesor. Ndryshimi i kohës së pagesës së TVSh-së në import do të sjellë likuiditet të madh për kompanitë vendase dhe do të ndihmojë në rritjen e tyre. Ka vite që nuk ka asnjë lëvizje në politikën tatimore në Kosovë. Tatimi i vlerës së shtuar (TVSh) në import me urgjencë duhet të ndryshohet, me qëllim që t’u mundësohet kompanive vendore që ta paguajnë TVSh-në pas një periudhe kohore, 90 ditore dhe jo menjëherë pasi të hyjë në kufi.

Një hap i tillë do t’u krijonte kompanive një likuiditet shumë të madh dhe një mundësi shumë të madhe për ta rritur aktivitetin biznesor dhe për të shtuar qarkullimin. Bizneset ende në vitin 2024 janë të dënuara për të paguar tatimin e vlerës së shtuar për mallin që e importon në Kosovë ende pa e shitur te konsumatori, dhe me këtë veprim biznesi ende e krediton shtetin.Me këtë politikë biznesi detyrohet të marrë kredi dhe t’i nënshtrohet interesave të over-drafteve dhe shpenzimeve ekstra të institucioneve financiare.

Një rekomandim tjetër është që të shihet se si të reduktohet vlera e tatimit të shtuar te disa produkte që do të ndikonte në mënyrë direkte në jetën e qytetarëve në këtë kohë inflatore.

Ndryshimet në tatimet doganore do të ndikonin në zbutjen e inflacionit dhe rritjen e prodhimit vendor.

Tatimi doganore duhet të hiqet edhe për disa produkte që marrin pjesë në procesin e prodhimit dhe finalizimit të produkteve “Made in Kosova” ose që janë pjesë përcjellëse të teknologjisë së nevojshme për prodhim apo finalizim të produkteve vendore.

Është e rëndësishme që qeveria të kthejë fokusin në prioritetet ekonomike për të siguruar zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët”, thuhet në komunikatë. /Kosova.info/

Go to TOP