LDK është e gatshme për zgjedhjet kurdo që mbahen ato

Këshilli i Përgjithshëm i LDK ka autorizuar Kryesinë dhe kryetarin e saj Lumir Abdixhiku të vazhdojnë me veprimet parazgjedhore.

“Unanimisht Këshilli i Përgjithshëm po ashtu miratoi qëndrimin e kryetarit, Lumir Abdixhiku dhe të Kryesisë lidhur me zgjedhjet e parakohshme në vend, ku qëndrimi i Lidhjes Demokratike mbetet i njëjtë. Kryeministri duhet të japë dorëheqje për dështimet e tij në çdo fushë, pastaj të bëhet shpërndarja e Kuvendit dhe krejt në fund të caktohet data e zgjedhjeve”, thekson ky subjekt.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Këshilli i Përgjithshëm aprovoi kuotën e ndarjes së nominimeve për listën e deputetëve, nëpër degët e Lidhjes Demokratike.

Në listën e kandidatëve për deputetë, do të jenë të gjithë kryetarët e komunave të LDK-së; kjo për arsye që e djathta të jetë sa më e fuqishme në zgjedhjet e ardhshme të Kosovës të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me fatin e LDK-së, por fatin e Republikës dhe gjeneratave që vijnë.

“LDK është e gatshme për zgjedhjet kurdo që mbahen në Kosovë, prandaj është e vetmja parti që po bën të gjitha përgatitjet dhe po vazhdon takimet me qytetarë anë e kënd vendit”, thekson komunikata. /Kosova.info/

Go to TOP