Kurti: Rekrutimi i pavarur e i përgjegjshëm është thelbësor për Kosovën

Në kuadër të projektit “Rekrutimi i pavarur, i përgjegjshëm, meritokratik dhe profesional në Kosovë” kryeministri Albin Kurti në hapësirat e Ballkonit të Hapur, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, së bashku me përfaqësues të Ambasadës Britanike për kontributin në këtë projekt.

Në fjalën e tij të rastit, kryeministri Kurti theksoi suksesin e projektit të rekrutimit në Kosovë, teksa shtoi se kanë një rrugë të gjatë përpara për të ndërtuar një sistem rekrutimi bazuar në meritokraci në sektorin publik, njofton Qeveria.

Ai shtoi se rekrutimi i pavarur, i përgjegjshëm, i bazuar në meritë dhe profesional është thelbësor për të ardhmen e Kosovës.

Kryeministri nënvizoi dhe rëndësinë e eliminimit të hendekut gjinor, e ku 40 për qind e profesionistëve të emëruar janë gra, duke e vlerësuar këtë si një prioritet të lartë për qeverinë.

“Një nga arritjet më të mëdha që nga viti 2021 është se 40% e profesionistëve të emëruar janë gra, duke ndihmuar në eliminimin e hendekut gjinor dhe thyerjen e tavanit e xhamit për gratë—një prioritet i lartë ky për qeverinë tonë. Projekti ka gjeneruar gjithashtu metoda të shumta për të kultivuar një kulturë respekti për aftësinë dhe ekselencën brenda institucioneve tona. Një shembull kryesor është “Harta e Procesit,” një manual gjithëpërfshirës që përshkruan praktikat më të mira të rekrutimit në përputhje me ligjet dhe rregulloret tona”, tha kryeministri Kurti.

Në fund, Kurti ka falënderuar përfaqësuesit e projektit dhe ambasadën britanike për kontributin e përkrahjen e tyre si dhe bëri thirrje për më shumë transparencë, përgjegjshmëri dhe meritokraci në procese të ngjashme, për një të ardhme më të ndritur për Kosovën. /Kosova.info/

Go to TOP