Kurti: Propozimet në Bruksel, mburojë për zbatimin e marrëveshjes nga Serbia

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është deklaruar sërish rreth takimit të 26 qershorit në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel.

I pari i ekzekutivit ka thënë se tri propozimet e bëra nga ai janë mburojë për zbatimin e marrëveshjes nga Serbia. Me këtë rast, ai ka kërkuar sërish dorëzimin e kriminelit Milan Radoiçiç.

“Të mërkurën u mbajt takimi i radhës në Bruksel. Ky ishte takimi i parë i nivelit të lartë pas sulmit terroristë në Banjskë të Zveçanit. Pas 9 muajve të sulmit kryeterroristi Milan Radojçiç është ende në liri. Është arritur që grupi i terroristëve të hyjë në sistemin e urdhër-arrestit ndërkombëtar. 39 prej tyre ndodhen në listën e kërkimit ndërkombëtarë. Përderisa Radojçiç dhe grupi i tij është i lirë, nuk ka mirëbesim. Ne kemi pranuar marrëveshjen dhe kemi kërkuar disa herë formalizimin e saj me nënshkrim. Ne kemi paraqitur tri kërkesa të garancisë të cilat janë mburojë për marrëveshjen. Ndërsa, letra e 13 dhjetorit nga ish – kryeministrja serbe Ana Brnabiq dhe marrëveshja bazike janë në kundërthënie me njëra-tjetrën. Për të garantuar respektimin e marrëveshjes në të ardhmen, duhet që ajo të nënshkruhet. Edhe të ketë tërheqje të letrës së Brnabiq si dhe nënshkrim të marrëveshjes nga Vuçiq”, potencoi ai, në mbledhjen e qeverisë.

Kryeministri foli edhe për luftën kundër krimit e korrupsionit për çka përmendi edhe dy ligje përmes të cilave tha se po synojnë t’i luftojnë këto dukuri.

“Ne kemi hartuar dhe miratuar Ligjin për Buron për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Të dy këto dy ligje u konsultuan edhe me Komisionin e Venedikut. Komisioni i aprovoi të dy këto. Me gjithë këto Gjykata Kushtetuese rrëzoi të dy ligjet, duke zgjedhur që ta vonojë ndjekjen e krimit e reformën”, shtoi ai.

Go to TOP