Kurti pas vërshimeve në Dragash: Ka dëme të konsiderueshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar fshatin Kuk të Dragashit pas vërshimeve si shkak si reshjeve të mëdha të shiut. Duke theksuar se fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz, Kurti ka thënë se dëmet në infrastrukturë publike janë të mëdha.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se një komision po vlerëson, inspekton e analizon masën e dëmeve.

“Ishim në Komunën e Dragashit dhe fshatin Kuk. Vërshimet e djeshme nga reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme edhe të infrastrukturës publike, për çka nevojitet ndërhyrje me prioritet. Megjithëkëtë, fatmirësisht nuk ka as të lënduar e as viktima.  Me Komisionin vlerësues i cili po inspekton e analizon masën e dëmeve, po shohim se çfarë mund të riparojmë e rindërtojmë dhe të kontribuojmë nga niveli qendror”, ka deklaruar Kurti.

“Falënderoj institucionet e shtetit për angazhimin e deritanishëm dhe Kryetarin e Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladinin, për mikpritjen e tij sot dhe bashkëpunimin me ministrin Elbert Krasniqi. Qeveria është pranë komunës dhe qytetarëve, për të kaluar bashkë, sa më shpejt e sa më lehtë këtë situatë”, ka shkruar në Facebook kryeministri. /Kosova.info/

Go to TOP