Kuqezinjtë përgatiten për përballjen vendimtare ndaj Spanjës në Euro 2024

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar të shtunën seancën e radhës stërvitore në kampin bazë kuqezi në Kaiserau, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e tretë dhe vendimtare të grupit ndaj Spanjës në Euro 2024.

Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo dhe stafit të tij teknik, i gjithë grupi u stërvit i plotë. I vetmi përjashtim ishte mbrojtësi Enea Mihaj, i cili stërviti veçmas për shkak të një lodhjeje muskulore. Megjithatë, është konfirmuar se Mihaj do të stërvitet me grupin nesër dhe do të jetë në dispozicion për ndeshjen me Spanjën, ka njoftuar FSHF.

Në vijim të përgatitjeve, skuadra kuqezi do të zhvillojë nesër seancën zyrtare stërvitore në Kaiserau, duke nisur nga ora 15:30. Pas kësaj, në ora 18:45, trajneri Silvinjo dhe kapiteni Berat Gjimishiti do të mbajnë një konferencë për shtyp në stadiumin e ndeshjes në Dyseldorf.

Ndeshja e tretë e Grupit B të Euro 2024, midis Shqipërisë dhe Spanjës, do të luhet të hënën në stadiumin “Merkur Spiel-Arena” të Dyseldorfit, duke nisur nga ora 21:00. Ky takim pritet të jetë vendimtar për fatin e kuqezinjve.

Go to TOP