Krasniqi për gala koncertin në Marinë: Kumboi refreni i përjetshëm i lirisë

Në Marinë të Skenderajt, është mbajtur gala koncert për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Prezent në Gala Koncertin e mbajtur ka qenë edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe bashkëshortet e ish-krerëve të UÇK-së të cilët po mbahen e gjykohen në Hagë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës si dhe të tjerë.

Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se historia e lavdishme dhe ëndrra e së ardhmes u bënë bashkë me simfoni nderimi, kujtimi dhe feste.

“Simboli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mes të skenës së ngritur me shije dhe elegancë, bënte që secili zë që ngjitej aty – të dukej sikur vinte nga vetë shpirti i kombit tonë. Nga meloditë emocionuese e deri te interpretimet që preknin zemrën, çdo moment ishte i mbushur me thelbin e rrugëtimit tonë kolektiv”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka shkruar se “nuk kishin si të mungonin, megjithëse padrejtësisht të zbrazëta, karriget e rezervuara pranë bashkëshorteve të tyre, për heronjtë tanë të luftës dhe paqes – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi”.

Krasniqi ka theksuar se në atë hapësirë të shenjtë, ka kumbuar refreni i përjetshëm i lirisë, një dëshmi e guximit dhe shpirtit të paepur njerëzor që nuk njeh kufi. /Kosova.info/

Go to TOP