Krasniqi dhe Abdixhiku ngushëllojnë familjen Ferri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë shprehur ngushëllime pas vdekjes së akademikut dhe piktorit tonë të mirënjohur, Rexhep Ferri.

Në letër ngushëllimin e Krasniqit thuhet se veprimtaria e tij e shquar artistike dhe intelektuale do të mbetet përherë e spikatur në fushën e artit dhe kulturës sonë kombëtare.

“U pikëllova nga lajmi për vdekjen e akademikut dhe piktorit tonë të mirënjohur, Rexhep Ferri. Ngushëllimet më të thella për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e akademik Ferrit. Kujtimi për të do të jetojë përherë”, thuhet në ngushëllimin e Krasniqit

Edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka shprehur ngushëllime familjes së akademikut dhe piktorit Ferri.

“E nderuara familje Ferri, Me pikëllim të thellë, morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademik, Rexhep Ferri. Ju humbët njeriun e dashur për ju, ndërsa Kosova humbi personalitetin e shquar të artit e pedagogun, Rexhep Ferri”, thuhet në letër ngushëllimin e Abdixhikut.

Tutje vazhdon letra e Abdixhikut se me punën e tij të palodhshme, akademik Ferri, gjatë gjithë jetës dha shembullin e njeriut të përkushtuar për arsimimin e brezave të rinj.

Ai tha se vepra e akademik Rexhep Ferri, prej pedagogu, e artisti do të kujtohet përjetësisht në historinë shqiptare.

“Ai do të mbetet personifikim i njeriut, që për dekada të tëra nuk pushoi së punuari për të mirën e vendit. Ndërsa, arti i tij, do të mbetet udhërrëfyes për brezat e ardhshëm, në fushën e artit, kulturës dhe shkencës. Në emrin tim personal dhe gjithë anëtarësisë së Lidhjes Demokratike, ju shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë atyre që njohën akademik Ferrin. I përhershëm do të jetë kujtimi për të”, thuhet në letër ngushëllimin e Abdixhikut.

Go to TOP