Kosova siguron medaljen olimpike

Që në ditën e parë të garave në Lojërat Olimpike, Kosova ka siguruar medalje. Është Distria Krasniqi që ka siguruar medaljen e parë për vendin në ngjarjen më të madhe sportive.

Distria është në finale të kategorisë deri 48 kilogramë në xhudo dhe kështu e ka të sigurt medaljen. Ajo në gjysmëfinale e mposhti mongolezen Urantsetseg Munkhbat. Ndaj saj fitoi me “Waza-Ari” të cilin e realizoi në mes të lufës.

Kosova për herë të dytë po paraqitet në Lojërat Olimpike. Në Rio 2016, Majlinda Kelmendi fitoi të artën në kategorinë deri 52 kilogramë. Tani medalje ka edhe Distria, por synim i saj natyrisht është e arta.

Kosova synon edhe medalje tjera në xhudo, ndërsa tashmë ka lënë shumë vende prapa sa i takon suksesit olimpik, ndonëse me vetëm dy pjesëmarrje. Kjo falë suksesit të nxënësve të trajnerit Driton Kuka, njërit prej më të mirëve në botë sa i takon sportit të xhudos.

Në finale, Distria takohet me japonezen Funa Tonaki. Ajo pas një lufte shumë të fortë e mposhti ukrainasen Dariya Bilodid.

Distria në gjysmëfinale takohet me xhudisten nga Mongolia

Urantsetseg Munkhbat e Mongolisë është kundërshtarja e Distria Krasniqit në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike. Distria ka shkëlqyer në dy luftërat e deritashme në kategorinë deri 48 kilogramë, në Nippon Budokan të Tokios.

Ndaj Munkhbat, Distria ka dy fitore e dy humbje. Kishte fituar në vitin 2017 në Grand Prix të Hagës dhe në Mastersin në Qingdao në dhjetor të vitit 2019. Ndërkohë ka humbur në finale të Grand Slamit në Abu Dhabi në vitin 2018 dhe në Botërorin e këtij viti, më 6 qershor.

Distria në gjysmëfinale të Lojërave Olimpike

Distria Krasniqi ka kaluar edhe një pengesë në Lojërat Olimpike. Ajo në arenën Nippon Budokan në Tokio të Japonisë e ka mposhtur xhudisten e Taipeit Kinez, Chen-Hao Lin. Meçi çerekfinal i kategorisë deri 48 kilogramë u vendos fare shpejtë, për 19 sekonda.Distria Krasniqi, që është bartësja e parë, tashmë është në gjysmëfinale. Pra ka arritur në zonën e medaljeve.

Krasniqi është e para prej sportistëve të Kosovës që garon në Tokio 2020.

Distria e nis me fitore, mposht brazilianen Chibana

Distria Krasniqi e ka nisur me fitore garën në kategorinë deri 48 kilogramë në Lojërat Olimpike. Në kuadër të raundit të dytë, Distria e ka mposhtur brazilian Gabriela Chibana. Ndaj saj fitoj me hedhje te bukur, për Ippon. Rrethin e parë, Distria Krasniqi e kaloi pa luftë.

Ajo është bartësja e parë dhe tashmë është në çerekfinale.

Fillon gara e xhudos në Lojërat Olimpike

Ka filluar gara e xhudos në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Në arenën Nippon Budokan tashmë po zhvillohen meçet e raundit të parë kualifikues në kategorinë deri 60 kilogramë te meshkujt dhe në kategorinë deri 48 kilogramë te femrat.

Sot garon edhe Distria Krasniqi, bartësja e parë në kategorinë deri 48 kilogramë. Ajo e ka kaluar rrethin e parë pa luftë. Braziliania Gabriela Chibana do të jetë kundërshtare e Distrisë. Ajo fitoi shpejtë ndaj Harrier Bonface të Malavit.

Go to TOP