Kompania gjenetike kineze po mbledh të dhëna nga testet paralindje të miliona grave

Kompania kineze e gjeneve që shet teste paralindjeje në të gjithë botën i ka zhvilluar ato në bashkëpunim me ushtrinë dhe po i përdor për të mbledhur të dhëna gjenetike nga miliona gra për kërkime gjithëpërfshirëse mbi tiparet e popullatave. Ky është zbulimi i bërë nga Reuters pas shqyrtimit të dokumenteve shkencore dhe deklaratave nga kompania.

Këshilltarët e qeverisë amerikane paralajmëruan në mars se një bankë e gjerë e të dhënave gjenomike që kompania BGI Group po grumbullon dhe analizon me inteligjencë artificiale mund t’i hapë Kinës rrugën drejt superioritetit ekonomik dhe ushtarak.

Ndërsa shkenca përcakton lidhje të reja midis gjeneve dhe tipareve njerëzore, aksesi në grupin më të madh e më të larmishëm të gjenomeve njerëzore është një avantazh strategjik. Teknologjia mund ta bëjë Kinën të dominojë farmaceutikën globale e madje të krijojë ushtarë të përmirësuar gjenetikisht, ose patogjenë të dizenjuar për të shënjestruar popullsinë apo bazën ushqimore amerikane, thonë këshilltarët.

Image

Reuters ka zbuluar se testi paralindje i BGI, një nga më të përdorurit në botë, është një burim i të dhënave gjenetike për kompaninë, e cila ka bashkëpunuar me ushtrinë kineze për të përmirësuar ‘cilësinë e popullsisë’ dhe në kërkimet gjenetike për të luftuar humbjen e dëgjimit dhe patologjinë e lartësisë te ushtarët.

BGI thotë se ruan dhe ri-analizon mostrat e mbetura të gjakut dhe të dhënat gjenetike nga testet para lindjes, të shitura në të paktën 52 vende, për të zbuluar anomali të tilla si sindroma Doën në fetus. Testet – të shënuara si NIFTY (Non-Invasive Fetal TrisomY) – kapin edhe informacione gjenetike për nënën, si dhe detaje personale si vendi i saj, gjatësia dhe pesha, por jo emrin, tregon kodi kompjuterik BGI i parë nga Reuters.

Image

Deri tani, më shumë se 8 milion gra kanë krye testet paralindje në nivel global. BGI nuk ka dhënë detaje për numrin e grave jashtë Kinës, duke thënë se ruan të dhënat vetëm për gratë në Kinën kontinentale.

Testet janë një procedurë private për gratë, pjesë përbërëse e kujdesit rutinë para lindjes. Por studimet tregojnë se ato japin informacion gjithnjë e më të fuqishëm për kërkime.

Një studim i BGI, për shembull, përdori një superkompjuter ushtarak për të ri-analizuar të dhënat NIFTY dhe për të hartuar prevalencën e viruseve në gratë kineze, për të kërkuar tregues të sëmundjeve mendore në to, dhe për të veçuar pakicat tibetiane dhe ujgure për të gjetur lidhje midis gjeneve të tyre dhe karakteristikat e tyre.

Image

Kompania ka konfirmuar se në databazën e gjeneve të financuar nga qeveria kineze janë ruajtur edhe të dhëna ADN-je të mbledhura nga gra jashtë Kinës. Banka e gjeneve menaxhohet nga BGI, aksione të së cilës u blenë më 2014 nga pushteti lokal i Shenzheni dhe banka më e madhe e investimeve në Pekin.

Reuters nuk ka zbuluar shkelje të marrëveshjeve me klientët mbi privatësinë apo të rregullave. Megjithatë, faja e politikës së privatësisë mbi testet NIFTY thotë se të dhënat e grumbulluara mund të jenë të disponueshme kur lidhen direkt me çështje të sigurisë kombëtare apo të mbrojtjes.

Pekini e ka bërë të qartë në një rregullore të vitit 2019 se të dhënat gjenetike mund të jenë çështje sigurie kombëtare dhe që më 2015 e ka kufizuar aksesin e shkencëtarëve të huaj në të dhënat gjenetike mbi popullin kinez. Në të kundërt, SHBA dhe Britania e Madhe iu lejojnë akses shkencëtarëve të huaj, si pjesë e politikave shkencore të hapura.

Image

BGI tha në një deklaratë se nuk i është kërkuar kurrë dhe nuk u ka dhënë asnjëherë të dhëna nga testet NIFTY autoriteteve kineze për qëllime të sigurisë kombëtare apo të mbrojtjes kombëtare.

Edhe kompani të tjera që shesin teste të tillë i ripërdorin të dhënat për arsye shkencore. Por asnjë nuk operon në shkallën e BGI-së, thanë shkencëtarët, as nuk kanë lidhje me ndonjë qeveri apo ushtri.

Lajmet që BGI zhvilloi testet paralindje në bashkëpunim me Ushtrinë Çlirimtare të Popullit dalin teksa është në rritje shqetësimi për përdorimin nga ana e Kinës të teknologjisë civile për modernizim ushtarak.

Go to TOP