Aprovohet pjesa e dytë e buxhetit të RTK-së për 2024

Është aprovuar programi i shpenzimeve të RTK-së për periudhën korrik – dhjetor të këtij viti, në shumën prej 4 milionë e 480 mijë eurosh.

Para aprovimit, deputetët pjesëmarrës në Komisionin për Buxhet kanë trajtuar çështjen e borxheve të transmetuesit publik, duke thënë se duhet të bëhet urgjentisht shlyerja e borxheve.

“Obligohet RTK-ja t’i shlyejë obligimet minimale ndaj KPM-së”, ka kërkuar Muja nga VV.

Ahmetxhekaj: Të angazhuarit në Festivalin e Këngës s’janë punëtorë të RTK-së 

Kryetari i Komisionit, Armend Muja ka thënë se iu është drejtuar Administratës Tatimore të Kosovës për numrin e saktë të punëtorëve ndër vite në RTK, meqenëse sipas tij, nuk ka përputhje të numrave të saktë në mes dokumenteve të dorëzuara nga transmetuesi publik. Ai ka shtruar kritikat e tij edhe për dallimet në mes të numrit të pagave në dokumentet e ATK-së dhe të RTK-së.

Drejtori i përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj ka përmendur angazhimin e stafit shtesë për edicionin e parë të Festivalit të Këngës.

“Vitin e kaluar në Festival i kemi pasur të angazhuar 130 ose 140 persona, instrumentistë, këngëtarë, e të ftuar. Në momentin që RTK bën një pagesë për ta, ajo regjistrohet në ATK, por kjo s’do të thotë se janë punëtorë të RTK-së. Numri i punëtorëve nuk ka se si të manipulohet”, ka deklaruar Ahmetxhekaj.

Ai ka përmendur edhe koncertin “Rrno për me tregue” dhe angazhimin e 50 – 60 artistëve me kontratë një mujore në shkurt si dhe pastaj në nëntor të vitit 2023.

Gjatë diskutimit është shtruar edhe çështja e kostos së veturave të RTK-së, të cilat aktualisht janë në përdorim si vetura me qera. Sipas Ahmetxhekajt, plani për blerjen e veturave është dorëzuar në Bord dhe vetëm po e pret aprovimin final. Përmes blerjes, sipas tij, do të arrihet një investim kapital shumëvjeçar për punën ditore të stafit.

“Duke pasur parasysh që me këtë buxhet të planifikuar (blerja e veturave) është pamundësi financiare, kalkulimet janë bërë që me mbi 500 mijë euro do të blihen 20 vetura. Ne kemi arritur të bëjmë një zgjedhje, në vend të pagesës në vlerë 8 mijë euro të veturave që aktualisht jemi duke i përdorur, në moment që ndërpritet ta bëjmë pagesën (për blerje) të lloj këstit të leasing financiar. E kemi bërë një lloj mundësie nga shpenzime në investime kapitale”, ka thënë zyrtari kryesor financiar në RTK.

Go to TOP