Jugu i Italisë në alarm nga uragani i rrallë

Ka shkuar në 3 bilanci i viktimave nga katastrofa e shkaktuar nga moti i ligë, që gjatë 3 ditëve të fundit ka gjunjëzuar qytetin e Katanias në jug të Italisë.

Ekipet e emergjencës gjetën këtë të enjte edhe trupin e një të moshuare që rezultonte e zhdukur prej të martës si edhe të bashkëshortit të saj pasi makina e tyre u rrëmbye nga rrjedha e ujit.

Ekspertët italianë të meteorologjisë konstatojnë se ajo që nisi si ciklon në fillim të kësaj jave, po shndërrohet si rrallë herë për rajonin e Mesdheut në uragan. Në të gjithë rajonin priten erëra me shpejtës 100 kilometra në orë, shkruan tvklan. Pasojat do t’i vuajë sërish Katania dhe e gjithë Siçilia, kryesisht zonat jugore dhe lindore të ishullit.

Situata më e vështirë do të jetë gjatë së premtes. Autoritetet kanë pezulluar mësimin në shkolla për këto dy ditë, si dhe shumicën e aktiviteteve publike, ndërsa emergjiencat civile janë vënë në gatishmëri maksimale. Vorbulla gjigante do të drejtohet më pas drejt Mesdheut Lindor.

Go to TOP