Ish-klubi i Rashicës humb licencën

Klubi holandez Vitesse ka humbur licencën për futbollin profesional për shkak të vështirësive financiare, ka njoftuar të martën Federata Holandeze e Futbollit.

Komiteti i pavarur i licencimit i federatës ka marrë vendimin për t’i hequr licencën klubit që nga 9 korriku.

“Mungesa e një llogarie bankare, mungesa e një auditori dhe fakti që nuk mund të sigurohet një buxhet i balancuar, e bëjnë të pamundur vazhdimin e licencës së Vitesse për sezonin 2024-2025”, thuhet në deklaratën e federatës.

Klubi me histori 132-vjeçare ra nga liga elitare holandeze muajin e kaluar, pas më shumë se tri dekadash pjesëmarrjeje të vazhdueshme. Kjo ka shënuar një goditje të madhe për tifozët dhe komunitetin e Vitesse, që kanë parë klubin e tyre të përballet me sfida të mëdha financiare dhe sportive.

Reprezentuesi i Kosovës, i cili ka qenë pjesë e skuadrës së Vitesse në periudhën 2015–2018, është vetëm një nga shumë lojtarët që kanë kaluar nëpër radhët e këtij klubi. 

Go to TOP