Ia jep të dhënat personale e bankare në telefon, i zbrazet llogaria

Një qytetar nga Prishtina kishte pranuar një link në telefon e më pas i kishte ndjekur edhe disa hapa të tjerë, duke ia dhënë të dhënat bankare kinse Postes së Kosovës, që më pas ia kishte zbrazur llogarinë. Kështu njofton Policia e Kosovës e cila kërkon nga qytetarët që mos të bien pre e mashtruesve, duke ua dhënë të dhënat personale.

“Policia e rajonit të Prishtinës, respektivisht, njësiti i hetimeve të stacionit policor Qendra me rekomandimin e prokurorit të shtetit ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Ndërhyrje në sistem kompjuterik”. Hetimi u iniciua pas denoncimit nga ankuesi se i njëjti në telefonin e tij kishte pranuar një link (lidhje-vegëz) me logo të një poste dhe pas klikimit në të është ridrejtuar në linkun tjetër ku i janë kërkuar të dhënat bankare personale. Pas futjes së të dhënave ankuesi ka raportuar se është dëmtuar në vlerë të konsiderueshme monetare”, njofton policia.

Andaj duke parë si të rrezikshme mundësime e manipulimit dhe keqpërdorimit të të dhënave të ndjeshme nga ana e linqeve të pasigurta, Policia iu sugjeron qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar kur japin të dhëna të tilla në platforma të pasigurta.

Go to TOP