Haziri: Ekzekutivi i Gjilanit e ka degraduar Komunën

Ish kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri tha se ekzekutivit të Gjilanit po i pengon që Kuvendi Komunal është shpallur si më aktivi e produktivi në Kosovë, po dëshiron ta ngufasë kritikën.

“Ekzekutivi i Gjilanit e ka degraduar Komunën në atë shkallë sa që në matjet e fundit, Instituti Demokratik të Kosovës (KDI) e ka ranguar komunën si më jotransparenten në Kosovë.

Ndërsa, në vlerësimet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Komuna e Gjilanit rangohet po ashtu në fund të pusit me performancë, madje më poshtë se Ranillugu e Parteshi. Ekzekutivi i Gjilanit po dëshiron ta dështojë edhe Kuvendin Komunal, pasi asamblistët e LDK-së u shpallën si më aktivë e produktivë në nivel të Republikës. Këtë sukses duket se  nuk do ta falin dhe pushteti po mundohet në çdo formë që të mos e lejojë transmetimin medial, duke tentuar ta ngufasë kritikën dhe fjalën e këshilltarëve të zgjedhur”, tha ai.

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës sipas tij,  ndjen keqardhje me këtë mospërfillje që u bëhet asamblistëve të zgjedhur nga populli me votë demokratike. Ekzekutivi i Gjilanit e ka për obligim që ta sigurojë transmetimin medial i cili ka qenë praktikë 20-vjeçare dhe model për Kosovën.

“LDK, si partia më e madhe në Gjilan, do të vazhdojë të jetë bashkëpunuese për interesat e qytetareve me të gjitha grupet politike, por nuk do të ketë asnjë kompromis pa u siguruar që zëri i asamblistëve të përçohet përmes mediave siç ka qenë gjithmonë”, tha ai. /Kosova.info/

Go to TOP