Haziri bënë homazhe te vendi i rënies së dëshmorit Nezir Shurdhani 

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Lutfi Haziri, së bashku me asambleistin Sami Ahmeti, në 25-vjetorin e vrasjes së dëshmorit Nezir Shurdhani, kanë bërë sot homazhe te vendi i rënies, në ish-fabrikën e Çelikut.

“Jemi në vendin e rënies së dëshmorit, Nezir Shurdhani, në shenjë respekti e nderimi. 22 qershori 1999 shënon vetëm ditët e para të lirisë në qytetin tonë dhe 25 vjet më parë u ndal njëri nga bashkëveprimtarët, bashkëluftëtarët dhe patriotët në këtë anë, për të mos e gëzuar këtë liri. Kjo ndalje ka qenë e dhimbshme”, ka thënë kryetari Haziri.

Haziri tha, po ashtu, se rënia e dëshmorit ka qenë e dhimbshme një javë pas hyrjes së UÇK-së dhe forcave të NATO-s.

“Vetëm një javë pas hyrjes së forcave të UÇK-së dhe 11 ditë pas hyrje së forcave të NATO-s në Gjilan, nga kjo përballje e fundit me fallangat e okupatorit dhe paramilitarët, plagosën tre qytetarë dhe e vranë Nezirin. Familja Shurdhani do të mbetet gjithmonë e nderuar sepse e ka nderuar vepra dhe gjaku i dëshmorit. Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit, Nezir Shurdhani”, tha Lutfi Haziri.

Me këtë rast, ai ka përkujtuar të gjithë të rënët në ditët e lirisë, 25 vjet më parë.

“Sot e kujtojmë edhe Bashkim Selishtën – Petritin dhe të gjithë bashkëqytetarët dhe bashkëpatriotët tanë të cilët ranë në ditët e para të lirisë”, tha kryetari Haziri. /Kosova.info/

Go to TOP