Grenell: Marrëveshja e Washingtonit ishte historike, Ballkani s’e ka vëmendjen e Bidenit

Richard Grenell, Ish-Emisar i Posaçëm i ish-Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për dialogun Kosovë – Serbi në një intervistë të tijën për “Kash’s Corner” ka folur rreth marrëveshjes së Washingtonit midis Kosovës dhe Serbisë.

Ai duke folur për zhvillimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Rusinë, ka përmendur edhe marrëveshjen e Washingtonit si një nga sukseset e mëdha të Trumpit në Ballkanin Perëndimor.

Sipas Grenell, marrëveshja ka qenë shumë e rëndësishme dhe sipas tij, administrata e Biden ka dështuar në Ballkan pasi siç shprehet ai nuk po i kushtojnë vëmendje.

“Qenë arritur katër marrëveshje ekonomike dhe tani është shumë e vështirë për mua ta shoh se si ekipi i Bidenit ka dështuar totalisht në Ballkan. Mendoj që s’po i kushtojnë fare vëmendje”, ka thënë fillimisht ai.

Ai foli për marrëveshjen e Washingtonit duke e quajtur atë historike dhe tha se të dyja palët nuk ishin të pajtimit për çështje si moratoriumi dhe të tjera, por se ishte Trump ai që ia doli t’i pajtonte.

Sipas Grenell, ekipi i Biden do të mund të ndërtonte një marrëveshje tjetër duke u bazuar në këtë.

“Zgjati për atë vit. Dhe më pas në fund të vitit, sivjet, të dyja palët tani po kërkojnë njohje në njërën anë dhe çnjohje në tjetrën, sepse skadoi afati. Ekipi i Bidenit ka mundur lehtë të shihte këtë marrëveshje e të thoshte se çka duhet të rinegociohet apo të mbahet apo se çfarë mund të bëjmë për të përmirësuar. Por askush s’e ka shikuar. Mund të them se duke folur me të dyja palët, askush nga ekipi i Bidenit s’u është afruar për të vazhduar kampanjat. Më e rëndësishmja ka qenë të vazhdohet”, tha Grenell.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor nuk e ka më vëmendjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Go to TOP