Gjykata Kushtetuese rrëzon tatimin mbi profesionet e lira

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese rrëzoi të enjten, ndryshimin në ligjin për Tatimin mbi të ardhurat, i cili parashikonte që duke nisur nga vitit 2024, afro 30 mijë, të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime profesionale të tatoheshin në masën 15 përqind, duke i veçuar ata nga kategoria e biznesit të vogël, që nuk paguan tatime për një xhiro vjetore deri 14 milionë lekë. Çështja ishte dërguar në Gjykatë nga deputetë të opozitës, Dhoma e Avokatisë si dhe Shoqatat e kontabilistëve të miratuar dhe ekspertëve kontabël të autorizuar.

Gjykata, në vendimin e saj vlerësoi se “pa vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të ligjvënësit dhe diskrecionin e tij në fushën fiskale”,, ndryshimet e propozuara “cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike (në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës) dhe parimit të proporcionalitetit”.

Gjykata tha se arriti në këtë përfundim “duke mbajtur në konsideratë skemën tatimore dhe në veçanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 përqind, ndaj kësaj kategorie tatimpaguesish, filloi të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre të përshtateshin me skemën e re tatimore”. Ndryshimet ligjore u realizuan në maj të vitit të shkuar, me efekt që nga 1 janari i këtij viti, por Gjykata vuri në dukje se “lista analitike e shërbimeve hyri në fuqi në datën 23 Dhjetor 2023, pra vetëm disa ditë para fillimit të efekteve të ligjit”.

Gjykata, po ashtu vlerësoi se “norma e tatimit prej 15 përqind, e parë së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon testin e proporcionalitetit, pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme, në kushtet kur ka masa të tjera alternative, të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategoritë e tjera të tatimpaguesve mbi të ardhurat”.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, një nga zërat e rëndësishëm që ka kundërshtuar tatimin mbi të ardhurat për profesionet e lira, afro 30 mijë që prekeshin nga ndryshimi ligjor, tha pas vendimit të Gjykatës se “kjo është një fitore për shtresën e mesme, që sot sjell kaq shumë, e që politika patjetër duhet t’i japë në këmbim më shumë”. Sipas saj “tatimi për profesionet e lira është i padrejtë e diskriminues. Arritëm që të ndryshojmë një nga tullat e sistemit të padrejtë të tatimeve, të një sistemi korruptiv, që mbështet pakicën e padrejtësisht taton shumicën”.

Go to TOP