Gjykata Komerciale pezullon ndërtimin e një shkolle në Podujevë

Vendosja e gurthemelit për ndërtimin e Shkollës së Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në fshatin Letancë të Podujevës ka dështuar së realizuari për shkak se janë pezulluar punimet nga Gjykata Komerciale.

Me gjithëparalajmërimin se në këtë ngjarje do të marrin pjesë Kryemininstri Albin Kurti, ministrja Arbërie Nagavci e kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, për vënien e gurthemelit të kësaj shkolle, që te tre nuk ishin prezent.

Drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Podujevë thotë se vendimin e gjykatës për pëzullimin e punimeve e kanë marrë shumë vonë, dhe për këtë arsye aktiviteti u anulua në momente të fundit.

“Ne ndjejmë keqardhje që është anulu ky aktivitet shumë i rëndësishëm për komunën tonë. Bëhej fjalë për vënien e gurthemelit të Shkollës së Mesme Ekonomike, e cila është nënshkru një  kontratë me 27 maj dhe me 30 maj Gjykata Komerciale paska marrë një vendim, të cilin vendim ne si Komunë e Podujevës nuk e kemi pranu deri në ditën e djeshme pas orarit të punës. Ne jemi njoftu shumë vonë për këtë vendim dhe për të mos rënë keq ne e kemi anuluar këtë aktivitet”, ka thënë për mediat drejtori i DKA -së Avni Fetahu.

Ndërkohë në një njoftim nga Komuna e Podujevës, thuhet se punimet janë pezulluar nga Gjykata Komerciale, për shkak të ankesës së operatorit ekonomik që nuk e ka fituar tenderin.

“Arsyeja e shtyrjes së kësaj ceremonie është një vendim i Gjykatës Komerciale, e cila e ka pezulluar përkohësisht ekzekutimin e kontratës lidhur me ndërtimin e këtij objekti. Kontrata për ndërtimin e objektit të Shkollës së Mesme Ekonomike është nënshkruar më 27 maj. Ndërkohë, edhe pse vendimi i Gjykatës Komerciale është marrë më 30 maj, ky institucion nuk e ka njoftuar asnjëherë Komunën e Podujevës me vendimin e saj. Ky vendim i është dërguar nga operatori ekonomik ankues kabinetit të kryetarit të Komunës, z.Shpejtim Bulliqi mbrëmjen e së premtes, por jo edhe nga Gjykata Komerciale”, thuhet në njoftimin e Komunës së Podujevës.

Go to TOP