Fushtica: Komisioni do të bëjë vlerësimin e dëmeve nga vërshimet

Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, tha se nga reshjet e djeshme të shiut gjendja në kryeqytet ka qenë e rënduar, por, u shpreh ai, ishte fat i mirë që nuk ka pasur dëme në njerëz.

Ndërkaq lidhur me dëmet materiale, Fushtica bëri të ditur se ato do të vlerësohen nga komisionet përkatëse në ditët në vijim.

“Dëmet materiale do të vlerësohen ditëve në vijim. Komisioni për Vlerësim do të kryejë punën e vet dhe do të bëjë vlerësimin e të gjitha dëmeve”, deklaroi Fushtica në Info Plus në RTK.

Ai njoftoi se kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka takuar kompanitë përgjegjëse për këtë situatë, teksa tha se është bërë edhe inspektimi i gjendjes në terren dhe është krijuar Shtabi i Krizës. Sipas tij janë vendosur ekipet kujdestare në të gjitha pikat problematike që kanë qenë dje në kryeqytet.

Fushtica theksoi se ekipet emergjente, ndërmarrjet publike të kryeqytetit, kompanitë private dhe Policia e Kosovës janë pjesë e Shtabit të Krizës prej nga do të menaxhohet çdo lloj emergjente që mund të ketë kryeqyteti sot.

Go to TOP