Forcat izraelite godasin veriun dhe jugun e Gazës

Forcat izraelite sulmuan disa zona në të gjithë Gazën, të mërkurën, ku banorët raportuan për luftime të ashpra gjatë natës në Rafah në jug të enklavës palestineze.

Banorët thanë se luftimet u intensifikuan në lagjen Tel Al-Sultan në perëndim të Rafës, ku tanket po përpiqeshin, gjithashtu, të shkonin drejt veriut, mes përleshjeve të rënda. Krahët e armatosur të Hamasit dhe Xhihadit Islamik thanë se luftëtarët sulmuan forcat izraelite me raketa antitank dhe bomba mortajash.

Që nga fillimi i majit, luftimet tokësore janë përqendruar në Rafah, që i afrohet Egjiptit në skajin jugor të Gazës, ku rreth gjysma e 2.3 milionë njerëzve të enklavës ishin strehuar pasi ishin larguar nga zona të tjera. Shumica prej atëherë u është dashur të iknin përsëri.

Mjekët thanë se dy palestinezë u vranë në një sulm raketor izraelit në Rafah më herët të mërkurën.

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se forcat e saj vranë një militant të Hamasit, i cili ishte përfshirë në kontrabandën e armëve përmes kufirit midis Rafahut dhe Egjiptit.

Ai tha se aeroplanët goditën dhjetëra objektiva militante në Rafah gjatë natës, duke përfshirë luftëtarë, struktura ushtarake dhe boshte tunelesh.

Në qytetin verior të Gazës, Beit Lahiya, një sulm ajror izraelit shkatërroi një shtëpi, duke vrarë katër palestinezë dhe duke plagosur disa të tjerë, thanë mjekët.

Gaza mbetet në rrezik të lartë të urisë, edhe pse dërgimi i disa ndihmave ka kufizuar përhapjen e parashikuar të urisë ekstreme në zonat veriore, tha një monitor global të martën.

Go to TOP