Ekspertët kërkojnë mobilizim për vaksinim

Në mesditën e së shtunës në Qendrën e Vaksinimit “1 tetori” nuk erdhi as edhe një qytetar i vetëm për t’u imunizuar me vaksinën AstraZeneca e cila aktualisht po administrohet tek masa.

Teksa gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë 7,741 vaksina, ani se kreu i shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se kapacitetet janë për administrimin e 17 mijë dozave brenda ditës.

Derisa me këtë tendencë të imunizimit infektologu Ilir Tolaj druan se ndonjë sasi e kësaj kure mund të hidhet poshtë.

Infektologu Tolaj shton se ky mosinteresim i qytetarëve për vaksinim vjen për shkak të rënies së numrave me virus, derisa fajëson IKSHPK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë që nuk po e kryejnë mirë punën e tyre në edukim dhe vetëdijesim për imunizim.

E sipas kreut të Odës së Farmacistëve, Arianit Jakupi, hezitimi i popullatës po ndodh ngase qytetarët po tregojnë pasiguri në kualitetin e vaksinave.

Mirëpo, farmacisti Jakupi shton se kjo nuk duhet të ndodhë dhe qytetarët duhet të vaksinohen të paktën me dozën e parë gjatë muajve të verës, në mënyrë që sezoni i vjeshtës të mos i gjejë të paimunizuar për shkak të paraqitjes së gripit sezonal.

 Që të dy këta thonë se janë vaksinuar me kurën AstraZeneca dhe nuk kanë pësuar asnjë komplikim.

Go to TOP