Delegacioni i Kuvendit të Kosovës kërkon mbështetje për anëtarësim në KiE

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se anëtarët e delegacionit të Kuvendi të Kosovës kanë zhvilluar takime me krerët e grupeve politike përfaqësuese në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE).

Në vazhdën e takimeve, delegacioni i Kuvendit të Kosovës në APKE ka zhvilluar takime të ndara edhe me krerët e grupeve politike Frank Schwabe, Grupi i Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve, Davor Stier, Partia Popullore Evropiane, Julian Bulai, Aleanca e Liberaleve dhe Demokratëve të Evropës.

Siç bëhet e ditur për media, në takimet me ta, anëtarët e delegacionit, kryesuar nga Nënkryetarja Bogujevci, falënderuan krerët e grupeve politike për angazhimin dhe mbështetjen e tyre të fuqishme në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Anëtarët e delegacionit po ashtu kërkuan që kjo mbështetje të vazhdojë edhe me tutje, që Kosova sa më parë të jetë anëtare me të drejta të plota në këtë organizatë multilaterale, nga e cila do të përfitojnë dy palët, edhe Kosova, por edhe vet Këshilli i Evropës.

“Po ashtu krerët e grupeve politike premtuan se angazhimi i tyre nuk do të mungojë asnjëherë dhe se presin që sa më shpejt edhe Komiteti i Ministrave të marrë për bazë raportin e Asamblesë dhe të marrë vendim që të ftojë Kosovën të bëhet shteti i 47 anëtar i kësaj organizate”, thuhet në njoftim. /Kosova.info/

Go to TOP