Danimarka kalon në çerekfinale

Danimarka është ekipi i parë që kalon në çerekfinalen e Kampionatit Europian të futbollit. Skuadra e drejtuar nga Hjulmand është padyshim një nga ekipet që duhet marrë në konsideratë nga të gjithë skuadrat e tjera të Euro 2020 pasi bën lojë të bukur dhe është shumë konkrete.

Në përballjen e 1/8 ndaj Uellsit, skuadra nordike tregoi forcën dhe dominoi takimin e luajtur në “Johan Cruyff Arena” duke fituar pastër me rezultatin 4-0.

Që në pjesën e parë, Danimarka e nisi më mirë pavarësisht  se Uellsi provoi të rrezikonte por nuk ishte aspak konkrete. Teksa dha sinjalet e para, ekipi nordik konkretizon në minutën e 27 me Kasper Dolberg, sulmuesin që u fut sot në lojë për shkak të dëmtimit të Poulsen dhe nuk zhgënjeu aspak.

Rezultati 1-0 nuk e ndali aspak Danimarkën të shtynte sërish përpara dhe me Damsgaard rrezikoi disa herë portën.

Në pjesën e dytë pritej një përgjigje e Uellsit që në fakt vetëm përmes Bale priste diçka dhe ai i vetëm nuk mundi të ndalë humbjen dhe golin e dytë të danezëve me Dolberg sërish në minutën e 48’.

Goli i dytë i jep një goditje të rëndë psikologjike Uellsit që nuk janë të qartë e nga ana tjetër Danimarka kontrollon qetësisht lojën dhe në fakt merr edhe një lajm të keq. Në minutën 77’ humbet kapitenin Simon Kjaer për një dëmtim të pësuar dhe kjo është e vetmja notë negative për nordikët.

Në minutat e fundit, ka vend edhe për një gol të tretë nga Joakim Maehle por në sekondat e fundit të ndeshjes sërish Danimarka shënon dhe vetëm VAR-I e konfirmon ndërkohë që arbitri mbyll dhe ndeshjen me rezultatin final 4-0.

Gjithsesi Danimarka kalon në çerekfinale me lojë të bukur dhe në raundin tjetër të Euro 2020 e pret fituesi i çiftit Holandë-Republika Çeke.

Go to TOP