Bislimi takohet me Mitsunori, diskutojnë për procesin e dialogut në Bruksel

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi priti sot në një takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Prishtinë Ogasawara Mitsunori me të cilin ka biseduar për dialogun Kosovë-Serbi.

Mitsunori shprehu vlerësimin e tij për përpjekjet e Kosovës që të vazhdojë përpara me dialog dhe të arrijë zgjidhje në këtë proces.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi që ai është i interesuar të vazhdojë angazhimin në një dialog të drejtë dhe me parime të barabarta, me qëllim të arritjes së objektivave që duhet të definohen nga të dy palët nën ndërmjetësimin e BE-së.

Në takim u diskutua edhe për Lojërat Olimpike në Tokio, ku sportistët e Kosovës kanë shënuar sukses të jashtëzakonshëm. Mitsunori u shpreh se është arritje e madhe për një shtet si Kosova, që ndonëse me sipërfaqe dhe popullsi relativisht të vogël, çdo ditë e më shumë lë gjurmë në arenën ndërkombëtare.

Mitsunori theksoi se marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve duhet të thellohen në të gjitha fushat dhe se Japonia është e interesuar në organizimin e seminareve virtuale përmes së cilave investitorët potencialë informohen rreth mundësive të investimit në shtetin e Kosovës.

Go to TOP