Berisha pas vendimit të Apelit që ia dha vulën e partisë: I vetmi i humbur sot është Rama

Gjykata e Apelit në Shqipëri e ka njohur kuvendin e 11 dhjetorit të Partisë Demokratike, duke ia dhënë vulën e partisë Sali Berishës.

Pas këtij vendimi, Berisha i ka falënderuar të gjithë demokratët që sipas tij, e shkruan historinë në kuvendin e 11 dhjetorit, duke thënë se kjo është historia e demokracisë dhe opozitarizmit.

“Askush më shumë se demokratët nuk e kanë provuar këtë përgjatë këtyre 30 viteve, ne 1992 në rrëzimin e diktaturës, në 97 përgjatë rebelimit të kuq, por dhe sot ku pavarësisht presionit padrejtësive e kërcënimeve ata ja dolën, as të mos kapen, as te mos shiten dhe mbi të gjitha të mos zhduken”.

“Këtij vendimi historia do ti njohë meritën e madhe të parandalimit të një mynxyre të vërtetë për vendin, kapjen e pluralizmit politik nga partia shtet”, shkroi Berisha.

Më tej, ai tha se sot, pas vendimit të Apelit, është ditë e mirë edhe për çdo demokrat që nuk është me të, por që siç tha, është me Partinë Demokratike, pasi sipas tij, ky moment u heq atyre hendekun e ndarjes me shumicën e vëllezërve dhe motrave të saj.

“Sot dera për ta është e hapur dhe respekti për kontributet dhe mendimin ndryshe është i garantuar! Sot duhet të bashkohemi rreth Flamurit te pamposhtur të betejave tona. Sot nuk ka fituar Sali Berisha, por demokracia. I vetmi i humbur sot është Edi Rama”.

“Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë bashkimi për rrëzimin e tij dhe rikthimin e shpresës tek shqiptarët për të realizuar së bashku rotacionin e vonuar, shpëtimin e Shqipërisë”, tha ai.

Go to TOP