Berisha apo Basha? Sot seanca në Apel, a do të marrë fund lufta për drejtimin e PD-së?

Këtë të martë, në orën 10:00, nis seanca në Gjykatën e Apelit, e cila mund të jetë edhe e fundit për zgjidhjen përfundimtare të luftës brenda Partisë Demokratike, e nisur në fundin e vitit 2021.

Dy palët që kërkojnë të njihen përfundimisht si Partia Demokratike, Rithemelimi dhe pjesa që mbështet Lulzim Bashën kërkojnë drejtësi nga togat e zeza në Apel. Treshja gjykuese përbëhet nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro.

Ishte Gjykata e Lartë që ktheu çështjen në Apel, dhe në vendimin e zbardhur në 27 dhjetor të vitit të kaluar udhëzon shkallën e dytë të gjyqësorit që të japë zgjidhje përfundimtare për këtë çështje.

Beteja ligjore e PD

Më 11 dhjetor të 2021, Sali Berisha mbajti Kuvendin Kombëtar që shkarkonte Lulzim Bashën dhe ndryshoi logon dhe vulën

Në 18 dhjetor, Lulzim Basha zhvilloi Kuvendin e tij Kombëtar si përgjigje për Berishën dhe sanksionoi në statut se askush që është non grata nuk duhet të jetë pjesë e PD. Ndërkohë, po atë ditë mbështetësit e Berishës zhvilluan referendumin për ratifikimin e vendimeve të 11 Dhjetorit dhe nisi punën Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.

Në 25 mars të 2022 Gjykata e Shkallës së Parë, me Gjyqtar Agron Zhukrin, tashmë të shkarkuar nga Vettingu pranoi kërkesën e Komisionit të Rithemelimit për të regjistruar ndryshime statutore, por vendimi u apelua nga Enkelejd Alibeaj, kryetar i komanduar në atë kohë.

Më 3 mars të 2023 Gjykata e Apelit vendosi ta kthente në shkallë të parë, por ndaj këtij vendimi u bë rekurs nga Flamur Noka në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Rithemelimi dhe çështja shkoi në Gjykatën e Lartë.

Më 27 dhjetor 2023, Gjykata e Lartë riktheu çështjen në Apel dhe në vendimin e saj jep urdhëresa që gjykata e shkallës së dytë ta zgjidh përfundimisht çështjen.

Go to TOP