Abdixhiku për letrën e MPJD-së: Dështim spektakular, turpërim ndërkombëtar

Duke e komentuar letrën që Qeveria e Kosovës ua ka dërguar udhëheqësve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se është dështim spektakolar, turpërim ndërkombëtar dhe dëm historik.

“Pasi gabuan adresën e pranuesve të letrës – merreni me mend – pasi ndryshuan në finish gjithë strategjinë dialoguse, zhbënë të gjitha qëndrimet dhe me të humbën të gjitha argumentet e mosveprimit me kohë; pasi e konsideruan diplomacinë si një kafe militantësh ku shiten gjepurat e tyre populiste, Republika e Kosovës mbeti e humbur, e turpëruar dhe sërish e kushtëzuar rëndë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

“Letra e tre aleatëve të pavarësisë dhe rrugëtimit tonë shtetar, nuk ekspozon thejsht një Kryeministër populist që manipulon me ndjenjat nacionale në dëm të interesave shtetare. Ajo e ekspozon Kosovën si një shtet që nuk di të jetë serioz në arenën ndërkombëtare”, ka shtuar kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai mes tjertash ka shkruar se partnerët e Kosovës nuk janë militantë partiakë.

“Partnerët e Kosovës nuk janë militantë partiakë që kur Kryeministri i viziton u jep pasqyrën e shtetit të falimentuar si sukses qeveritar. Subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës nuk është platformë zgjedhore mbi të cilën merren votat. Populistët këtë peshë përfaqësimi nuk e kuptojnë dot. Prandaj dhe të turpërojnë, të dështojnë dhe të dëmtojnë.”

Abdixhiku ka shtuar se LDK nuk ka bërë dhe nuk bën politike elektroale me marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.

“LDK-ja nuk ka bërë dhe as nuk bën politikë elektorale me marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. E kuptojmë peshën e vërtetë të shtetësisë. LDK-ja qëndron e palëkundur në këtë rrugëtim, prandaj me kohë ka propozuar autorësinë e Republikës ndaj detyrimeve ndërkombëtare, si parakusht i evitimit të dështimeve historike e dëmeve pas dështimeve – ku dhe jemi sot. Në relaciont e tilla, ka një kohë kur duhet përballur me argumente politike dhe ka një kohë kur duhet qëndruar në ballë të angazhimeve ndërkombëtare. Këtu dallojnë prijësit prej populistëve, patriotët prej mashtruesve”, ka shtuar ai.

“Shteti i Kosovës dhe qytetarët tanë nuk ua kanë borxh të ardhmen një njeriu që luan me detyrimet e shtetësisë e që rrënon reputacionin e shtetit të Kosovës kaq keq. Duke i trajtuar partnerët si militantë, diplomacinë si kafehane e Kosovën si fushë mbjellje e korrjeje të votave momentale në dëm të prodhimeve të duhura ndërkombëtare, ne po shndërrohemi në një vend të zymtë dhe pa perspektivë”, ka thënë kreu i LDK-së.

Sipas Abdixhikut, heqja dorë nga rrugëtimi euroatlantik është tragjedi.

“Prandaj populistët duhet të përballen me dështimet e tyre kapitale, me humbjen e madhe kombëtare! Dorëheqja, më pas shpërndarja, në fund zgjedhjet dhe fitorja e politikës normale”, ka shtuar ai. /Kosova.info/

Go to TOP