A është i duhur cilësimi ligjor ndaj veprimeve të zyrtares të komunës së Junikut

Blerina Sallaj, zyrtare e komunës së Junikut, bashkëpunëtore e ngushtë e kandidatit të AAK-së për kryetar komune, Agron Kuçit, është ndaluar për 48 orë nga Prokuroria, pasi dje u kap në flagrancë në aeroportin e Prishtinës, duke tentuar të dërgojë në Gjermani, material zgjedhor që dyshohet se është falsifikuar. Prokuroria Themelore ka bërë të ditur se vepra për të cilën Sallaj dyshohet është cilësuar si “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Megjithatë, ky cilësim i Prokurorisë nuk është në përputhje me provat që janë sekuestruar prej të dyshuarës.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se te e dyshuara janë gjetur dhe sekuestruar dokumente dhe lista me të dhëna personale të qindra votuesve nga diaspora. Të njëjtat burime njoftojnë se e dyshuara ka tentuar që të votojë përmes postës në emër të qindra votuesve të Junikut që jetojnë në diasporë.

Pra bazuar në provat deri në këtë fazë, ky është një rast tipik i veprës penale keqpërdorimit i të drejtës së votimit nga neni 213, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1. i KPRK-së.

Situata të tilla janë hetuar edhe më parë nga Prokuroria Speciale dhe janë cilësuar si “keqpërdorim i të drejtës së votimit”.

Por, nëse ka ndodhur ky cilësim nga pakujdesia apo si rezultat i presionit për t’i vënë ‘kapak’ kësaj çështje, mbetet të shihet ditëve në vijim.

Në këtë rast, përveç dyshimeve se janë përfshirë disa zyrtarë dhe aktivistë të AAK-së në diasporë, dyshohet edhe për përfshirjen e familjarëve të kryetarit Agron Kuçi, siç janë djali i tij F.K., dhe vëllai i tij M.K.

Go to TOP