Murati e përdor raportin e GAP për të tregur se Serbia s’është partneri kryesor tregtar

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i është referuar raportit të publikuar së fundi nga Instituti GAP, për të treguar se Serbia s’është partneri kryesor tregtar.

Murati s’e ka përmendur direkt me emër GAP, por vetëm ka thënë se kjo organizatë e demantoi se Serbia është partneri kryesor tregtar.

“U tha që Serbia është bërë partneri kryesor tregtar. Kjo hiç më larg se para ca ditëve u demantua nga një organizatë e shoqërisë civile që kishte publiku të dhënë të detajuara për secilin shtet”, tha Murati.

Sipas infografikës së publikuar nga GAP, vendi ku Kosova eksporton më së shumti janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që përbëjnë 15.09 për qind të eksportit të përgjithshëm në një vit.

Ndërkaq, Kosova importon më së shumti nga Turqia, sipas të dhënave të Doganës. Përgjatë vitit 2022, Kosova ka importuar në vlerën prej 839.2 milionë eurove prej Turqisë.

Sa i përket iniciativës për tërheqjen e 30 përqind të mjeteve nga Trusti, Murati tha se po tentohet që të shkatërrohet sistemi pensional.

“Çka po synohet me këtë nismë, është shkatërrimi i sistemit pensional se kjo tashmë edhe është thënë nga deputetë të opozitës. Pra synimi është që të merren këto 30 përqind dhe pastaj edhe 30 të tjera dhe të shkatërrohet si sistem, dhe të kalojmë në sistemin ku kontribuon gjenerata për gjeneratë. Pra, gjeneratat aktuale që kanë kontribu duhet me vazhdu me kontribu edhe për gjeneratat e tjere, duhet me pagu dyfish kushdo që ka pagu në Trust, për shkak se dikujt iu ka tek me e shkatërru sistemin”, ka deklaruar Murati.

Go to TOP