Protestë në Beograd kundër muralit kushtuar Mlladiqit
Disa organizata joqeveritare, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe qytetarë po protestojnë sonte (e shtunë, 13 nëntor) në Beograd, duke kërkuar heqjen e një murali kushtuar kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq, që është vendosur në një fasadë në qendër të kryeqytetit serb.
Protesta “Murali duhet të rrëzohet”, që po mbahet disa qindra metra larg nga murali kushtuar Mlladiqit, është një prej shumë tubimesh që qytetarët dhe OJQ-të kanë organizuar, pasi policia pengoi aktivistët që dëshironin të ngjyrosin mbi muralin në Ditën Ndërkombëtare Kundër Fashizmit, më 9 nëntor.

Ndonëse ishte paralajmëruar se pjesëmarrësit në protestë, pas fjalimeve, do të drejtohen në rrugën Njegosheva, ku është murali i Ratko Mlladiqit, nga ky plan, për arsye sigurie është hequr dorë.
“Ka shumë policë, ka shumë djathtistë. Ne jemi njerëz të mirë dhe nuk duam të ndodhë ndonjë incident”, u tha të pranishmëve, aktivistja për të drejtat e njeriut Aida Çoroviq.
Më 9 nëntor, Çoroviq u arrestua sepse hodhi vezë në muralin e Ratko Mlladiqit, i dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë nga Gjykata e Hagës.
Gjatë protestës, siç raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë, policia përmes një kordoni ka ndarë djathtistët nga protestuesit.
Mbështetësit e të djathtës po brohorasin mesazhe mbështetjeje për Mlladiqin dhe po fyejnë protestuesit që po kërkojnë heqjen e muralit. Ndërkaq, prorotestuesit në anën tjetër, i kanë quajtur të djathtët “fashistë”.
Murali me portretin e Mlladiqit për katër muaj po qëndron në fasadën e një ndërtese që gjendet në kryqëzimin e rrugëve Njegosheva dhe Alleksa Nenadoviqit.
Një autor i panjohur e pikturoi muralin në fund të korrikut të këtij viti, një muaj pasi gjykata në Hagë konfirmoi burgimin e përjetshëm ndaj Ratko Mlladiqit më 8 qershor. Shpjegimi i policisë për ndalimin e tubimit të 9 nëntorit, në të cilin ishte paraparë që të pikturohej murali, ishte se ekzistonte rreziku i konfliktit fizik të ndërsjellë (përkrahësve dhe kundërshtarëve të tubimit të paralajmëruar) dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Më 10 nëntor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se policia i ka mbrojtur qytetarët nga konfliktet e ndërsjella. Koalicioni qeverisës në Serbi, i udhëhequr nga Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiqit, nuk e pranon që gjenocidi ka ndodhur në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Zyrtarët e lartë shtetërorë thonë se një “krim i tmerrshëm” ndodhi në Srebrenicë.
