Canaj: Reagimet e BE-së për Ujmanin tregojnë ftohjen e marrëdhënieve të Kosovës me aleatët
Ish-ambasadori i Kosovës, Blerim Canaj, vlerëson se reagimet e Bashkimit Evropian dhe të ambasadave pas rrënimit të vilave të ndërtuara pa leje në zonën e Liqenit të Ujmanit pasqyrojnë ftohjen e marrëdhënieve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Në një intervistë për Ekonomia Online, ai tha se zbatimi i ligjit është i drejtë nëse objektet kanë qenë ilegale, por theksoi se për shkak të ndjeshmërisë politike të zonës institucionet është dashur të veprojnë me më shumë kujdes dhe në koordinim me aleatët.
Sipas Canajt, mungesa e koordinimit po reflektohet në reagimet publike të partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa raportet e Kosovës me ta janë minimale. Ai paralajmëroi se zhvillimet e fundit mund të thellojnë ftohjen e këtyre marrëdhënieve dhe theksoi se prioritet i qeverisë së ardhshme duhet të jetë rikthimi i bashkëpunimit me aleatët, duke shtuar se koordinimi është i domosdoshëm në çështjet ku Kosova kërkon mbështetjen e tyre.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje për rrënimin e vilave, duke vlerësuar se nuk janë respektuar procedurat e rregullta ligjore. BE-ja kërkoi ndërprerjen e veprimeve derisa të shqyrtohen çështjet që lidhen me procedurat gjyqësore, të drejtat pronësore dhe të drejtat e njeriut. Qëndrimit të BE-së iu bashkua edhe Ambasada e Italisë, ndërsa Ambasada e Britanisë së Madhe tha se po monitoron situatën dhe u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës të respektojnë procese të drejta e transparente dhe të shmangin veprime që mund të dëmtojnë besimin publik dhe atë ndërkomunitar.
Autoritetet e Kosovës nisën më 21 korrik aksionin për rrënimin e 11 vilave të ndërtuara ilegalisht në zonën e Ujmanit, me kërkesë të ndërmarrjes publike hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, në pronën e së cilës ishin ngritur objektet.
