Ulutas viziton Mosjiloviqin, NATO do ta optimizojë gradualisht praninë e trupave në Kosovë
Komandanti i misionit të KFOR-it, Ozkan Ulutas ka bërë të ditur se NATO do ta optimizojë gradualisht praninë e KFOR-it në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm, në përputhje me gjendjen e sigurisë në terren.
Komentet ai bëri pas takimit të zhvilluar të enjten në Beograd me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviq.
Në një deklaratë për media, komandanti i KFOR-it tha se kjo ishte vizita e tij e pestë në Beograd që nga marrja e detyrës dhe falënderoi autoritetet serbe për mikpritjen, duke vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me gjeneralin Mojsiloviq.
Ai theksoi se komunikimi i rregullt ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë është i rëndësishëm për ruajtjen e transparencës, mirëkuptimit, besimit dhe bashkëpunimit, në funksion të stabilitetit rajonal.
Komandanti rikujtoi se për më shumë se një çerek-shekulliu KFOR-i ka zbatuar mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Sipas tij, procesi i optimizimit do të zhvillohet në mënyrë graduale dhe në përputhje me kushtet në terren, ndërsa mund të pezullohet ose të kthehet prapa nëse situata e sigurisë e kërkon.
Komandanti kujtoi se në vitin 2023 KFOR-i shtoi mbi 1.000 trupa për t’iu përgjigjur një situate më sfiduese të sigurisë, duke dëshmuar aftësinë e NATO-s për ta përforcuar shpejt misionin kur është e nevojshme.
Ai theksoi se angazhimi i NATO-s për sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal mbetet i pandryshuar dhe se KFOR-i do të vazhdojë ta zbatojë plotësisht mandatin e tij në dobi të të gjitha komuniteteve në Kosovë, përfshirë komunitetin serb.
Po ashtu, ai bëri të ditur se KFOR-i do të vazhdojë ta mbështesë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar atë si kornizën për adresimin e çështjeve të hapura dhe gjetjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. /Kosova.info/
