Garcia beson te Belgjika: Mund t’ia vështirësojmë punën Spanjës

Trajneri i Belgjikës, Rudi Garcia, ka thënë se ekipi i tij ka cilësinë dhe besimin për ta sfiduar Spanjën, e cila konsiderohet njëra prej skuadrave më të forta në Botërorin 2026.

Belgjika dhe Spanja do të përballen të premten në një nga sfidat më interesante të çerekfinaleve të Kupës së Botës.

Te Belgjika ka shumë besim për përballjen ndaj Spanjës në çerekfinalen e Kupës së Botës, pavarësisht se shihet si skuadra jofavorite në këtë duel.

Spanja ka hyrë në Botëror si një prej pretendenteve kryesore për trofeun dhe pas një fillimi më të ngadalshëm, ka treguar forcën e saj me një fitore bindëse 3:0 ndaj Austrisë në fazën e eliminimit direkt.

Megjithatë, Garcia beson se Belgjika ka arsyet e saj për të shpresuar në një rezultat pozitiv.

“E dimë që po luajmë ndaj njërës prej favoriteve. Spanja ndoshta është skuadra më e mirë në posedimin e topit dhe ka luajtur në një mënyrë të dallueshme për pesëmbëdhjetë apo njëzet vite”, ka thënë Garcia. “Por ne kemi një ekip të madh. Jemi skuadra e dytë me më së shumti gola të shënuar në këtë Botëror dhe po përballemi me ekipin që ka numrin më të lartë të rasteve të pritura për gol. Besojmë se mund t’ia dalim”.

Belgjika ka realizuar trembëdhjetë gola në këtë Botëror dhe është ndër ekipet më efikase në fazën finale, pas Francës me gjashtëmbëdhjetë dhe Argjentinës me katërmbëdhjet gola.

Garcia gjithashtu ka theksuar se skuadra e tij nuk do të ndikohet nga presioni i tifozëve, sidomos pas fitores ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rezultat 4:1 në Seattle, ku Belgjika luajti përballë një atmosfere të pafavorshme.

“Ne sapo e mposhtëm SHBA-në në një stadium ku të gjithë ishin kundër nesh. Nuk është publiku ai që shënon golat. Ne do të përqendrohemi në atë që mund të bëjmë në fushë”, ka deklaruar ai.


Go to TOP