Edonis Marku prezanton “Kufiri Live”, platformën që tregon pritjet në kufi në kohë reale
Programuesi Edonis Marku ka prezantuar platformën Kufiri Live, një zgjidhje digjitale e krijuar për t’i ndihmuar udhëtarët të informohen për kohën e pritjes në pikat kufitare përmes raportimeve të vetë komunitetit.
Sipas Markut, ideja lindi nga fluksi i madh i diasporës gjatë verës dhe pritjet e gjata në kufi, ku shumë udhëtarë nuk kanë informacion të saktë për situatën në terren.
Platforma u mundëson përdoruesve të raportojnë në kohë reale kohën e pritjes pasi kalojnë kufirin, duke krijuar një burim informacioni të bazuar në përvojat e drejtpërdrejta të udhëtarëve dhe jo në parashikime.
Marku ka bërë të ditur se fillimisht ndërtoi një prototip për të testuar idenë dhe më pas e zhvilloi platformën me sistem raportimesh dhe sinkronizim në kohë reale.
“Kufiri Live” është tashmë në dispozicion për përdoruesit në adresën: https://kufiri-live.vercel.app/.
