Ymeri: KEDS po përdor Policinë për shkyçje të energjisë, ndërsa ankesat e konsumatorëve po injorohen

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar ndaj një rasti të raportuar nga një familje në Gjilan duke kritikuar përdorimin e Policisë së Kosovës në procesin e shkyçjes së energjisë elektrike nga KEDS, në një kohë kur, sipas saj, ekzistojnë kontestime serioze lidhur me matjen e konsumit dhe faturimin.

Ymeri tha se shkyçja nga rrjeti elektrik me ndërmjetësimin e Policisë, kur vetë njehsori nuk është ndërruar me kohë dhe nuk ka matur saktë as sasinë e energjisë së konsumuar dhe as tarifën, përbën “dhunë për pagesë”.

Ajo bëri të ditur se një familje nga Gjilani i është drejtuar me ankesë duke njoftuar se rrezikon të përballet me shkyçje të energjisë të nesërmen, pavarësisht pretendimeve për parregullsi në matjen e konsumit.

“Uroj që familja nga Gjilani, që më ka përcjellë këtë ankesë, të mos përballet me këtë fat, kur në vitin 2026, me malverzime të hatashme në njehësim të rrymës, nuk merret parasysh dëmi që u është shkaktuar konsumatorëve, por ndërmjetësohet rezultati me dhunë”, ka deklaruar Ymeri.

Deputetja i ka bërë thirrje Ministrisë së Industrisë, së Ndërmarrësisë, së Tregtisë dhe të Inovacionit që të rishikojë situatën dhe të angazhojë Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, në mënyrë që ankesat e qytetarëve të trajtohen para se të kërkohet pagesa e faturave të kontestuara.

Sipas saj, përfshirja e Policisë në raste të tilla ngre shqetësime serioze për raportin ndërmjet institucioneve shtetërore dhe kompanisë së shpërndarjes së energjisë.

“Me vrasje kaq të shpeshta dhe dhunë në shkolla, përdorimi i Policisë për faturë rryme kur vetë KEDS ka fajin, tregon më shumë për pushtetin e KEDS-it ndaj shtetit sesa për efikasitetin e metodës së pagesës”, ka përfunduar Ymeri. /Kosova.info/


Go to TOP