Rama në Otavë: Diskuton zhvillimin urban dhe thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Kanada

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar një sërë takimesh në Otavë të Kanadasë, ku ka diskutuar për planifikimin urban, zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë.

Rama bëri të ditur se është takuar me Presidentin e Shoqatës së Arkitektëve të Otavës, Toon Dreessen, si dhe me anëtarë të kësaj shoqate, me të cilët ka biseduar për planifikimin urban, qëndrueshmërinë, mobilitetin dhe rëndësinë e hapësirave publike në ndërtimin e qyteteve moderne.

“Qytetet e mira ndërtohen me vizion. Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i ideve ndërmjet profesionistëve dhe institucioneve krijon mundësi të reja për transformimin e qyteteve tona”, ka theksuar Rama.

Në kuadër të vizitës në Kanada, ai është takuar edhe me Rob Oliphant, me të cilin ka diskutuar për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë, si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Sipas Ramës, gjatë takimit është folur për arsimin, shkëmbimet akademike, inovacionin dhe partneritetet institucionale, me synimin për krijimin e lidhjeve edhe më të forta ndërmjet dy vendeve.

Ai ka vlerësuar se miqësia ndërmjet Kosova dhe Kanadaja vazhdon të ndërtohet mbi vlera të përbashkëta, solidaritet dhe besim të ndërsjellë. /Kosova.info/


Go to TOP