Kryeziu kërkon largimin e ambasadorëve gjerman dhe francez: Janë bërë zëdhënës të thashethemeve

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ambasadorëve të Gjermanisë dhe Francës në Kosovë, duke i akuzuar ata për qëndrim të paargumentuar dhe të paprofesional.

Kryeziu tha se ambasadorët Rohde dhe Guerot kanë dështuar në misionin e tyre diplomatik duke u përfshirë në çështje të brendshme politike pa pasur dëshmi konkrete. Ai theksoi se nuk ekziston asnjë provë që institucionet e Kosovës të kenë manipuluar fotografi apo të kenë mohuar rolin e KFOR-it në ndonjë deklaratë zyrtare.

“Ambasadorët mund të komentojnë vetëm deklarimet zyrtare të titullarëve të institucioneve dhe jo të merren me interpretimet e qytetarëve të lirë, qofshin ata edhe eksponentë politikë,” tha Kryeziu.

Ai e cilësoi ndërhyrjen e ambasadorëve si sjellje me “mendësi kolonizatori” dhe i akuzoi ata për frustrim ndaj një populli që nuk u bindet automatikisht.

Sipas tij, që nga fillimi i mandatit të tyre në Kosovë, ambasadorët janë identifikuar me mbështetjen ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe janë shndërruar në pjesë të “mendësisë së çarshisë politike”.

“Rohde dhe Guerot janë bërë zëdhënës të thashethemeve që krijohen në kafene. Vazhdimi i qëndrimit të tyre në Kosovë nuk i bën nder as Gjermanisë dhe as Francës,” përfundoi ai, duke u bërë thirrje për largimin e tyre nga pozitat diplomatike./Kosova.info/


Go to TOP