Koci flet për politikën dhe mbështet Abdixhikun: Karakteri dhe sjellja, po aq të rëndësishme sa pushteti

Avokati dhe opinionisti i njohur Arianit Koci ka ndarë mendimin e tij për zhvillimet politike në vend duke shprehur mbështetje për qasjen e liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në një postim reflektues, Koci thekson se politika nuk duhet të reduktohet vetëm në luftë për pushtet, por duhet të mbështetet edhe në karakter, maturi dhe sjellje korrekte mes palëve.

“Nuk mund ta poshtërosh dikë publikisht e pastaj t’i zgjat dorën për koalicion. Nëse raporti mes njerëzve nuk është i pastër, as marrëveshja politike nuk është e qëndrueshme,” ka shkruar ai.

Sipas Kocit, është koha që në politikën kosovare të ndryshohet fryma – duke u larguar nga logjika e pazareve dhe duke promovuar bashkëpunimin, seriozitetin dhe qëndrueshmërinë. Ai kritikon edhe partitë që, pavarësisht përqindjes së ulët të votave, kërkojnë pushtet joproporcional.

Në fund të postimit, Koci ndan edhe një copëz nga rutina e tij personale duke treguar përkushtimin ndaj disiplinës dhe balancimit të aktiviteteve profesionale e sociale.

“Gjithçka është çështje vullneti,” shkruan ai, teksa ndan se dita e tij ka nisur në orën 5:30 të mëngjesit me një kafe, lexim dhe përgatitje për seancat gjyqësore të javës. /Kosova.info/


Go to TOP