25-vjetori i çlirimit të Prishtinës, Rama bën thirrje për unitet

Për Ditën e Çlirimit të Prishtinës, Kuvendi i Komunës ka mbajtur mbledhje solemne. Kjo ditë, nga drejtuesit e komunës u cilësua si ndër ditët me të madha të historisë së Kosovës, ndërsa u kërkua edhe unitet.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se sakrifica e dëshmorëve dhe martirëve të luftës është frymëzimi i brezave që vijnë.

“Përkujtomë një moment historik me rendësi të veçantë, 25-vjetori i çlirimit të Prishtinës.  Teksa përkujtomë 11 qershorin, duhet të ritheksojmë misionin tonë, përpjekjen tonë kolektive që udhëhiqet nga pasioni për të frymëzuar brezat që vijnë, siç ne u frymëzuam nga ata para nesh. Vlerat e vërteta njerëzorë, shkëlqejnë më së forti në kohë krize dhe historia jonë është dëshmi për këtë. Borxhi që ne kemi ndaj brezave të ardhshëm është që edhe ne t’ua lejmë atyre një trashëgimi uniteti, si një trashëgimi fuqie”, ka deklaruar Rama.

Kryetari i Kuvendit të Komunës, Fehmi Kupina, ka thënë se përpjekja e shqiptareve ndër  breza dallohet si histori e sakrificës, krenarisë, heroizmit dhe vendosmërisë.

“Po festojmë 25-vjetorin e lirisë së Prishtinës e Kosovës të cilën e arrijmë falë përpjekjeve te pashuara me dekada të tëra të rezistencës së vazhdueshme në shumë fusha, si arsim, në kulturë, me luftë politike, etj. Përpjekja e shqiptareve ndër breza dallohet si histori e sakrificës, krenarisë, heroizmit dhe vendosmërisë. Në këtë ditë festë nuk ka si mos t’i kujtojmë  dëshmorët, luftëtarët, viktimat e luftës që sakrifikuan gjithçka për te shtrenjtën liri”, ka theksuar Kupina.

Go to TOP