​17 vjet nga vizita historike e presidentit Bush në Shqipëri

17 vjet më parë, ish-presidenti amerikan George W. Bush dhe bashkëshortja e tij, Laura, vizituan Shqipërinë.

Ata u pritën në aeroportin e Rinasit nga Ministri i Jashtëm shqiptar në atë kohë, Lulzim Basha.

Më pas presidenti Bush u takua në Pallatin e Brigadave me presidentin e atëhershëm të Shqipërisë, Aleksandër Moisiu, ku ky i fundit i dha presidentit Bush dekoratën më të lartë “Urdhrin e Flamurit”, për kontributin e tij në mbështetje të çështjes shqiptare.

Presidenti amerikan në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e atëhershëm, Sali Berisha, vlerësoi nivelin e lartë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe SHBA-së.

Bush tha se SHBA-ja përkrah dëshirën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO dhe vlerësoi lart tolerancën fetare në Shqipëri.

“Shpreha dëshirën që Shqipëria të hyjë në NATO, unë jam përkrahës i kësaj dëshire”, ishte shrehur ai.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Bush pati folur para trupave shqiptare, një shprehje mirënjohje kjo për Shqipërinë që ka kontribuar ushtarakisht në Afganistan dhe Irak.

“U thashë trupave se ju respektoheni nga ushtarakët tanë si ushtarë të stërvitur mirë dhe kurajozë,” tha Bush. Ai inkurajoi politikanët shqiptarë të punojnë së bashku për të plotësuar standardet e anëtarësimit në NATO.

“Politikanët duhet të punojnë së bashku për të arritur këto standarde, të lënë mënjanë ndryshimet politike”, ishte shprehur ai.Bush takoi në Fushë-Krujë një grup biznesmenësh shqiptarë që kishin marrë mbështetje financiare nga agjenci amerikane zhvillimi. Pas takimit, Bush doli, jashtë protokollit, në rrugën kryesore të Fushë-Krujës dhe takoi shumë qytetarë entuziastë. Presidenti amerikan George Bush ka mbërritur në Tiranë në vizitën e parë të një presidenti amerikan në Shqipëri.

Go to TOP