Bota

Zyrtarë të pushtetit dhe opozitës diskutojnë krizën e Venezuelës në Norvegji

Përfaqësuesit e Qeverisë së Venezuelës dhe forcat opozitare kanë udhëtuar në Norvegji për të biseduar rreth zgjidhjes së krizës në shtetin e Amerikës Jugore.

Zyrtarët qeveritarë dhe pjesëtarë të opozitës kanë thënë më 15 maj se përfaqësuesit kanë udhëtuar në shtetin skandinav pasi kanë pranuar ftesa nga disa grupe në këtë shtet.

Bisedimet është planifikuar të realizohen në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, mirëpo nuk është bërë e qartë nëse do të realizohen edhe takime ballë për ballë.

Anëtarët e opozitës së Venezuelës të kontrolluar nga Asambleja Kombëtare, kanë thënë për agjencinë e lajmeve, Associated Press se pjesëtarë të lartë të të dyja palëve do të përfshihen në diskutime.

Në një adresim televiziv, presidenti i kontestuar i Venezuelës, Nicolas Maduro nuk ka komentuar drejtpërdrejt bisedimet, mirëpo ka thënë se ministri për Informacion, Jorge Rodríguez është në një mision “shumë të rëndësishëm” jashtë shtetit.

Maduro, që mbështetet nga Rusia, Kina dhe Kuba, ka nisur udhëheqësinë më 2013, pas vdekjes së ish-presidentit, Hugo Chavez, dhe është betuar në mandatin e dytë në muajin janar, pas zgjedhjeve të mbajtura në maj të vitit të kaluar, të cilat janë bojkotuar nga opozita.

Maduro është kritikuar edhe për pretendime rreth abuzimeve me të drejta të njeriut dhe për keqmenaxhim të ekonomisë së Venezuelës.

Lideri opozitar, Juan Guaido, që drejton Asamblenë Kombëtare e ka shpallur veten president të përkohshëm në muajin janar, duke fituar përkrahjen e fuqive të mëdha, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe 50 shtete tjera.

Kohën e fundit, mijëra persona kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër regjimit të Maduros ndërkohë që ky shtet që është goditur edhe nga problemet me energji elektrike.

Mirëpo deri më tani ushtria ka vazhduar të jetë besnike e Maduros.