SPORT

Zyrtare: Pezullohet Superliga Evropiane

Superliga Evropiane është pezulluar, vetëm 48 orë pasi e njoftoi krijimin, për shkak se u tërhoqën nga ajo gjashtë klubet angleze që kishin nënshkruar për t’iu bashkuar.

Manchester City, Manchester United, Chelsea, Arsenali, Liverpooli dhe Tottenhami u tërhoqën nga grupi i 12 klubeve themeluese të Superligës, e cila për synim kishte ta zëvendësonte Ligën e Kampionëve si garën kryesore evropiane për klube, raporton Gazeta Express.

Presioni i madh dhe kritikat e pareshtura të tifozëve të klubeve dhe nga UEFA, FIFA dhe ligat vendore ndikuan në tërheqjen e tyre.

Superliga nuk është pezulluar plotësisht, megjithatë, sepse në një letër të publikuar të martën pas mesnate, tha se synon ta çojë përpara planin pasi ta ketë ndryshuar.

“Superliga Evropiane është e bindur se status koja e futbollit evropian ka nevojë të ndryshohet. Ne po e propozojmë një garë të re evropiane sepse sistemi i tanishëm nuk po funksionin”, thuhet në letrën e Superligës.

“Me gjithë njoftimin për largim të klubeve angleze, të cilat u detyruan ta marrin një vendim të tillë për shkak të presionit ndaj tyre, ne jemi të bindur se propozimi ynë është plotësisht në përputhje me ligjin dhe rregulloret evropiane, siç u vërtetua sot nga një vendim i gjykatës për ta mbrojtur Superligën nga veprimet e palës së tretë”, thuhet tutje në njoftim.

“Duke i marrë parasysh rrethanat e tanishme, ne do t’i rimendojmë hapat më të përshtatshëm për ta ndryshuar projektin, gjithmonë duke i pasur në mendje synimet tona për t’iu ofruar tifozëve përvojën më të mirë të mundshme”.

Pas largimit të klubeve angleze, pjesë e Superligës kanë mbetur vetëm Real Madridi, Atletico Madridi, Barcelona, Interi, Juventusi dhe Milani.