SHËNDETËSIA

Zyra ligjore e kryeministrit kërkon ndryshime në udhëzimin për shkollim specialistik

Udhëzimi administrativ për shkollimin specialistik i Ministrisë së Shëndetësisë, sipas një opinioni të Zyrës ligjore të kryeministrit, është në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësinë dhe Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë.

Në këtë dokument të cilin e ka siguruar Koha thuhet se “Udhëzimi administrativ për shkollimin specialistik vitit 2017 nuk e ka trajtuar rolin që kanë odat e profesionistëve shëndetësorë dhe kompetencat e tyre që i kanë sipas Ligjit për Shëndetësinë”.

Aty theksohet se janë një sërë nenesh të këtij udhëzimi të cilat janë kontestuar dhe nuk janë në përputhje me ligjet në fuqi, raporton KOHA.

Zyra ligjore e kryeministrit gjithashtu i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të nisë plotësimin-ndryshimin e këtij udhëzimi administrativ, derisa kjo zyrë ka kontestuar edhe dy nene të Ligjit për Shëndetësinë, të cilat kanë rezultuar të jenë në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Neni 72 pika 4 dhe 5, sipas këtij opinioni ligjor, kanë mungesë të harmonizimit juridik ndërmjet këtyre dy dispozitave.

Andaj, sipas këtij opinioni ligjor, kjo situatë krijon mundësinë e interpretimeve të dykuptimshme.

Zyra Ligjore po ashtu i ka rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë që në kuadër të ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për shëndetësi të adresojë çështjen e harmonizimit të këtyre dy neneve.

Në Odën e Mjekëve të Kosovës thonë se me këtë udhëzim atyre u janë shkelur kompetencat ligjore të karakterit publik të cilat janë të përcaktuara me Ligjin për Shëndetësinë dhe Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë.

Ndërsa kreu i Odës së Profesionistëve Shëndetësorë thotë se janë një sërë nenesh të cilat ata i kanë kontestuar dhe kanë kërkuar interpretim nga Zyra ligjore e kryeministrit.

Ministri Armend Zemaj ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka të drejtë në këtë proces, derisa ka lënë të kuptohet se opinionin nuk do ta marrë parasysh.

Më 24 korrik të këtij viti, tri odat, ajo e mjekëve, farmacistëve dhe stomatologëve, i ishin drejtuar me një kërkesë Zyrës ligjore të kryeministrit që të anulohej udhëzimi administrativ për shkollimin specialistik.

Kjo pasi që, sipas tyre, ky udhëzim ishte në kundërshtim me disa prej dispozitave ligjore të Ligjit për Shëndetësinë dhe atij për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483