SPORT

Zv/ministri Burim Ramadani me veturë 3Z në ndeshjen Feronikeli – Ballkani

Nuk ka humbur vetëm Feronikeli në përballjen e së shtunës me Ballkanin. Ka humbur edhe buxheti i shtetit.

Burim Ramadani, zëvendësministër i Mbrojtjes, me veturë zyrtare ka shkuar në Drenas, për ta përcjellë skuadrën nga Suhareka, tifoz i së cilës është, pasi edhe vjen nga kjo komunë, raporton “Koha Ditore”.

Ai ka qenë në një ‘xhip’ të zi, që mbante targat 3Z-004-04. Me të ndodhej edhe shoferi.

I kontaktuar nga Koha.net, Ramadani ka thënë se nga puna kishte shkuar në disa aktivitete zyrtare e pastaj edhe për ta shikuar lojën.

“Kam qenë rrugës edhe kam shku e kam shiku lojën. Kam pas edhe punë tjera, prej punës kam shkuar në disa aktivitete zyrtare, e pastaj kam shku e kam shiku edhe lojën”, ka thënë ai.

Ish-gazetari Ramadani është zëvendësministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Ramush Haradinajt, e cila ndodhet në ditët e fundit të mandatit që është duke e përmbyllur para kohe.

Qeveria njihet për numrin rekord të zëvendësministrave dhe për shpenzimet e mëdha që ka bërë armata e të emëruarve politikë.

Saktësisht 1,751.80 euro, Ramadani kishte shpenzuar për karburante vetëm gjatë vitit 2018. E dhëna ndodhet në një pasqyrë shpenzimesh që muaj më parë Ministria e Mbrojtjes ia kishte vënë në dispozicion “Kohës Ditore”. Më pas, gazeta ka kërkuar qasje edhe në shpenzimet e bëra gjatë gjysmëmandatit për secilin të emëruar, por Ministria e Mbrojtjes ka ofruar të dhëna komulative që nuk tregojnë shpenzimet e të emëruarve veç e veç.

Bazuar në përgjigje, për më pak se dy vite, stafi politik i Ministrisë ka shpenzuar për karburante mbi 25 mijë euro.

Ramadani nuk e ka pritur vërshëllimën e fundit në Drenas. Pak minuta para se të përfundonte ndeshja, ai ka ikur, duke e lënë Ballkanin tek avanconte si mysafir kundër Feronikelit.

Pas ndeshjes, zëvendësministri ka bërë një postim në llogarinë e tij në Facebook.

“SuperBALLKANI. Krenar me ekipin e zemrës, ekipin e fëmijërisë”, ka shkruar ai. “BALLKANI udhëton drejt titullit të SuperLigës. Me mund e me angazhim. Herët është ende, por të duam BALLKAN në fitore e humbje”.

Me këtë rezultat, skuadra nga Suhareka përforcon pozitën e parë në Superligën e Kosovës në futboll, ndërsa kampioni në fuqi vazhdon të mbetet në krizë për rezultate, edhe pas ndryshimeve që këtë javë bëri në shtabin teknik.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.