Kombëtare

‘Zoti Basha, na kthe Atdheun!’

Po, Atdheun,  që na e kanë gremisur në katakombe mitike. Teksa shkruaj këto rreshta, menjëherë kujtoj Sizifin dhe Gurin e rëndë mbi shpatullat e tij. Historia dhe koha ju ka vënë juve përballë kësaj sprove. Mund ta titulloja shkrimin edhe “Basha dhe Sizifi”

Për të qenë intrigues shkonte edhe “Basha përballë Agait të jeniçerëve”. Thjesht më mirë. Ju drejtohet qytetari, jo militanti.

Duket tashmë, se Basha do ta thyejë mitin biblik. Ai do zhbëjë mallkimin që vjen së bashku me emrin e Sizifit. Sado e thellë humnera, shkëmbi do të dalë prapë mbi tokë. Mision i lodhshëm, por vullneti i hekurt e përmbush.

Pyetja që lind natyrshëm, mbas pohimeve të tilla është: Pse?!

E para, siç unë e mendoj, është fakti që Kryetari i opozitës në shtatë vjet ka qenë pothuajse i vetëm në përballje me “Again e jeniçerëve”.  I vetëm ose me aleatë minoren, por i bindur në drejtësinë e kauzës së tij.

E dyta. Të rrallë janë politikanët, që të kryqëzuar si Krishti, duke predikuar të vërtetën, do të qëndronin të palëkundur;  të qartë e pa u lodhur në “cunamin” e shpifjeve, sulmeve, akuzave e gozhdëve në rrugë; megjithëse e djathta jonë e ka një traditë të tillë brilante. I anatemuar Berisha, në vitet 1997- 2005, si Feniksi u rikthye, për të realizuar vepra të mëdha për vendin.

Basha i survejuar dhe i sulmuar deri në familje, i shpërfilli të gjitha dhe si politikan i përmasave të mëdha, shkeli mbi meskinitete duke ndjekur vizionin e tij.

Ironike është midis të tjerave fabula e dembelit. Vetëm për të shpëlarë trutë elektoralë me këtë farsë, janë harxhuar miliona lekë për spote dhe antireklama gërhitëse.

Faktet dhe shqiptarët janë të bindur se njeriu që ka qenë më pranë tyre është Lulzim Basha.

Ju lutem, mendoni një çast me objektivitet: kush politikan shqiptar ka takuar më shumë njerëz nëpër Shqipëri?! Skaj më skaj, në çdo ngjarje, dhimbje, vuajtje, fatkeqësi, përmbytje, tërmete.

Ai midis tyre. Sa duar ka shtrënguar, sa shumë! Dhënia e dorës, në të drejtën zakonore shqiptare, nuk është gjest. Marrëdhënie është, dhe kod. Institucioni i besës, përndryshe.

Profil i qartë humanisti dhe statisti.
Qeveria dhe opozita janë të detyruara, që të jetojnë në një simbiozë antagoniste. Dy vektorë që ecin në të njëjtin drejtim, theksojnë diferencat, mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

Qeveria ka vite jo që nuk ecën, por ka fikur motorin dhe ka mbyllur rrugën. Pasagjerët e trenit – ne pra, janë në gjumë dhe shohin ëndrra se mbërrijnë në destinacion. Ka humor me stacionin e synuar, Beograd apo Bruksel?

E treta. Basha, këtë rrugë po kërkon të zhbllokojë. Përballë tij si një mur Berlini, “Agai i jeniçerëve”. Kur shkruaj “Agai”, kam parasysh një mori shpatash të azapëve dhe akinxhinjve, daullet mediatike, menaxhuesit e trafiqeve, përfituesit e fondeve publike, të ardhurat financiare nga kontrabanda dhe bota e nëndheshme. Ndonjëherë edhe indiferentizmin e trupës diplomatike.

E majta erdhi në pushtet para shtatë vitesh si në një cikël normal rotacioni. Jo vetëm për kaq sigurisht. Akumuluar pakënaqësi në 8 vitet e qeverisjes, pritej diçka më e mirë. Se vërtetë, gjatë atyre viteve u ngrit ekonomia, infrastruktura, pagat, pensionet, u liberalizua lëvizja e lirë, por nuk mjafton e mira. Gabime? Po, si në çdo administrim. Njerëzore është që të kërkohet më mirë.

Rama premtoj “Kopshtin e Edenit” dhe mbas 7 vitesh duket që e ka thyer dhe ai një mit. Ferrin real ka sjellë mbi tokë. Kaq përsosmërish, sa Dante Aligieri duket amator në përshkrimin e tij.

Këtu janë shkelur të gjitha liritë, por mbi të gjitha është cenuar një nga liritë themelore dhe hyjnore. Liria për të jetuar është zhbërë, përderisa mundësitë e ekzistencës janë zvogëluar. Plot familje, nuk plotësojnë dot nevojat për bukë. Në këto vite të qeverisjes së majtë, ka shkëlqyer në gjithë dimensionet autoritarizmi ì timonierit. Duket pak si filozofi kineze ky termi timonier. Jo më kot. Mao Ce Duni në literaturën dhe shtypin e kohës quhej Timonieri i Madh. Gjithsesi, kjo çështja e termave nuk ka rëndësi.

Thelbësore është se ora e ligë e Shqipërisë po zgjat.

Më shumë se ditëve të tërmetit, realiteti më është dukur ì zymtë, këtë javën e festave. Llamburitja e qendrës së Tiranës, nxori në pah kontrastin e thellë të shumicës së vuajtur. Më thoni, kush e dalloi festën këtë vit?!

Krishtlindjet ngjasonin si në komunizmin e egër. Këta e vdesin Krishtin, që ditën e lindjes dhe nuk e durojnë dot sa të shkojë 33 vjeç. Nëse bëj blasfemi, falmë Zot, se nuk di çfarë shkruaj.

E katërta. Gjysmë atdheu ynë …S’po sjell metaforë jo, faktin e trishtë po shkruaj. Ky vend po boshatiset në mënyrë të frikshme.

Radhshkruesi në këto vite, ka përcjell në aeroportin e Rinasit, dy vëllezër dhe një motër me familjet e tyre. Nuk po shënoj të tjerë njerëz shumë afërt. Gjysma arratisur e gjysma tjetër në proces letrash e bashkimi familjar. Secili ta shohë nga ky rrafsh familjen e tij. Atëherë, dikujt tjetër do t’i dalë çerek atdheu.

Ku ka më keq se të të flakë nga trualli, mëmëdheu yt. Një alegri e mërzitshme vlon ekraneve, kurse qytetet i gazmon kaosi dhe varfëria shkreptuese.

U premtua ulje taksash e kosto jetese më e lirë. Premtim social, por që paska qenë karrem elektoral. Orë e çast flitet për taksa e tarifa të reja. Të paguaj taksat në këtë vend?!

Aspak. E kam atdhe, por nuk më ka bir. Të banosh këtu, nuk është privilegj. Luftë për ekzistencë është dita e shumicës së qytetarëve. Përkundrazi, qeveria duhet t’më paguajë subvencione që ende jam nënshtetas. Po, po, subvencionet, që prej 7 vitesh nuk ju jep fermerëve, peshkatarëve. Të paktën ato të kthejë.

E pesta. Këto dhe njëmijë arsye e ndihmojnë Lulzim Bashën, që të mundë “Sizifin”. Kush thyen atë mit, sigurisht që mposht “Again e jeniçerëve” dhe shpurën e dallkaukëve.

A ka patur pengesa të tjera Basha veç bllokut monolit qeveritar? Pafundësisht janë sajuar para tij, ura më të shkurtra nga gjerësia e lumit. Nuk shkeli në to, por u zgjat koha e udhëtimit.

Disa herë të tjera ia gjarpëruan rrugën për ta futur në sokakun e të marrëve, por ai konseguent në objektivin e përcaktuar. Ka një fjalë popullore, që lisin e pret dega e tij, jo sëpata e hekurt. Koha dëshmoj se humbi sëpata dhe bishti.

Duken retorikë fjalitë e fundit, por vetëm një moment të thyejmë inatin personal apo barrierat ideologjike dhe themi: Po , e saktë !

E gjashta; Basha po kthehet me program ringritje për ekonominë dhe gjithë fushat e tjera të jetës.
Shqiptarët presin dhe meritojnë jetesë njerëzore. Më së pari duam atdheun ta ndjejmë tonin. Ai është siguria, çadra, shtëpia, spitali, jeta, ish- i persekutuari politik, ish-pronari, martesa, vuajtja, fëmijët, festa, vdekja, sofra , identiteti, qenia, grindja, pylli, shkolla, themeli, gjithçka.

Atdheu është dhe Kosova, vëllezër! Kurbini, Thumana, Këneta, Bubqi, Floqi, Maliqi e Golemi copëza atdheu janë gjithashtu. Atdheun real na kthe, z. Lulzim Basha! Kaq na premto. Të tjerat i ka Atdheu