Kosova

Zogiani: Lejet për hidrocentrale janë dhënë jashtëligjshëm, dikush të japë përgjegjësi

Zëvendësministrin e Ambientit, Avni Zogiani, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ka pasur shkelje të ligjeve në dhënien e lejeve për hidrocentrale, dhe për këtë dikush duhet të japë përgjegjësi.

Zogiani thotë se ka marrë një raport nga KDI-ja në lidhje me hidrocentralet, të cilin thotë se do ta shfrytëzojnë.

“Nuk kam ndonjë pikë të raportit me të cilin nuk pajtohem dhe e kam gjetur interesant. Besoj se do të jetë një informacion që do të përdoret edhe në punën e Ministrisë për këtë fushë. Ajo që në fakt shihet nga dokumentet është konstatuar në gjithë raportin, që i bie se jo vetëm VNM-të por edhe dokumentet që janë dhënë leje janë tërësisht jo serioze dhe janë në shpërputhje të plotë me ligjin. Nuk ka asnjë vendim me dispozitiv. Nëse shkojmë në ndonjë arbitrazh do ta kishim mjaft të vështirë ndaj kompanive”, ka thënë Zogiani.

Ai thotë se qeverisjet e deritanshme kanë funksionuar me plan të viteve të 80-ta.

“Ekspertët janë të skandalizuar se si në i referohemi dokumenteve të planeve të viteve të 80-ta për ujërat në Kosovë. Ne nuk dimë për ujërat në Kosovë, ne s’kemi informacion mbi gjendjet e ujërave, e në vitet e 80-ta krejtësisht ndryshe ka qenë situata. Ne vazhdojmë të punojmë me të dhëna që janë mbledhur në ato vite. Ligjet relevante që ekzistojnë janë thyer në të gjitha këto vendime, sepse nuk ka opsion për të dhënë leje ujore për hidrocentrale. Kurse prodhimi i energjisë bie në një nen krejt tjetër, që i bie me koncesion, e që nuk janë bërë me të”, ka thënë ai.

Ai thotë se janë duke studiuar edhe bazën mbi të cilën janë dhënë këto leje, derisa thekson se qytetarët nuk i ka dëgjuar askush.

“Është e dhimbshme kur sheh njerëz që si ka dëgjuar askush, e asnjëherë nuk ka pasur dëgjim publik. I kanë ikur dëgjimit publik dhe nuk i kanë informuar banorët. Banorët e dinë se nuk është e mundshme që të jetë e njëjta sasi e ujit si me hidrocentral, si pa të. Prej se ka filluar projekti ata janë pa ujë, dhe janë detyruar që ujin prej lumit me e nxjerrë me pompa dhe këto probleme kanë lindur tani”, u shpreh Zogiani.

Sipas tij më shumti rrezikohet bujqësia.

“Nga ana tjetër ekonominë kryesore e kanë bujqësinë, kryesisht me mjedra, dhe sipas tyre janë rreth 200 hektarë tokë që punohen. Potencialisht 500 mijë banorë munden me përfitu të mundësisë së zhvillimit të bujqësisë. Një pjesë e madhe e njerëzve do të pësojnë. Të gjitha politikat e qeverive të kaluara kanë quar drejt thellimit të varfërisë. Punimet nuk janë ndalur në Biti të Poshtme, por duhet të shihet se si funksionojnë këto inspektoriate. Ka pasur dhjetëra shkresa të banorëve për devijim të projektit. Si është e mundshme se pikërisht tani të humbin ujin. Ministria e Mjedisit duhet të problematizojë këtë situatë, pasi kjo do të jetë përgjegjësi politike e Qeverisë. Ne presim që të krijohen grupe që të skanojnë gjendjen fizike në terren por edhe në atë juridik”, ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se kanë hasur në rezistencë është në qasjen në dokumente.

“Deri tani kemi hasur rezistencë në qasje në dokumenta. Edhe gurëthyesit janë skandaloz. Dëmi do të jetë shumë më i madh nëse vazhdohet kështu. Humbja e potencialit në bujqësi është dëmi tjetër. Momentalisht njerëzit kanë probleme me ujë të pijshëm, dhe nëse vazhdojmë kështu dëmet janë të shumëfishta”, u shpreh ai.

Zogiani ka theksuar se dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë.

“Ka dyshime se për të njëjtin vend kanë dhënë dy leje, kaq me nguti kanë vepruar këta. Janë ata që kanë nënshkruar këto leje, ata që kanë aprovuar këto leje mbajnë përgjegjësi. Mund të kenë krijuar ndonjë lidhje tjetër me sektorin e energjisë. Të gjitha ligjet janë shkelur me këto leje dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë”, ka thënë Zogiani.